Rezidenca e Presidentit, Trashëgimi Kulturore

Rezidenca e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, është përfshirë sot në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme sipas vendimit të marrë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ky vendim është marrë pas kërkesës që familja Rugova ia ka drejtuar Departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës.

Në këtë ndërtesë nga viti 1993 ishte vendosur presidenti Rugova dhe familja e tij. Aty presidenti historik i Kosovës e zhvilloi veprimtarinë e tij deri më 21 janar të vitit 2006 kur edhe ndërroi jetë.

Vendimin e ka bërë të ditur sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikatë për media ku tregohet se rezidenca së shpejti do të jetë e hapur edhe për publikun.

Sipas komunikatës, ministri Shala u shpreh se kjo ndërtesë ka vlerë të jashtëzakonshme nacionale ngase lidhet me kujtesën dhe rrugëtimet tona drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

“Brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ruhen vlera të shquara historike, artistike e politike, të cilat presidenti i kultivonte me shije e kulturë, ndaj ato duhet të jenë të hapura për vizitorë. Vepra e Rugovës, është udhërrëfyese dhe vlerë e përhershme për ndërtimin e Kosovës moderne dhe evropiane”, thuhet në komunikatë.

Vendimin që rezidenca është vendosur të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ia dhuroi Fane Rugovës, bashkëshortes së presidentit të ndjerë.

Salla e pritjes, salloni kryesor me hapësirat përcjellëse, kabineti i punës së presidentit, dhoma e kristaleve dhe salla solemne janë pesë hapësirat që do të hyjnë nën mbrojtje të shtetit.

Sipas komisionit vlerësues, rezidenca ka vlera të jashtëzakonshme të cilat janë me rendësi për trashëgiminë dhe historinë e Kosovës.

“Brenda “Rezidencës së Presidentit dr. Ibrahim Rugova” ka piktura, fotografi të shumta të takimeve të Presidentit Rugova me personalitete të vendit dhe të huaj. Guri në oxhakun e kabinetit të punës së Presidentit është punuar nga gjyshi i Presidentit Rugova. Ky gur është punuar në vitin 1910, si pjesë e kullës së ndërtuar në fillim të viteve 1900. Enterieri i Sallonit të pritjes është i trajtuar me nivel të lartë artistik. Tavanet e sallonit janë të punuara me drugdhendje në frymën tradicionale të shtëpive qytetare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndërmjet viteve 1996 dhe 1999 në këtë rezidencë presidenti Rugova zhvilloi takime me ambasadorët amerikanë Richard Holbrooke, Christopher Hill, senatorin amerikan Bob Dole, ambasadorin britanik Brian Donnelly, ambasadorin gjerman Wolfgang Ischinger, ambasadorët austriakë Wolfgang Petritsch e Albert Rohan, që realizuan organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, më 24 mars 1999 dhe përfundimisht me lirinë e Kosovës, më 12 qershor 1999.

Në nëntor të vitit 2005, në këtë rezidencë u mbajt takimi i parë i Ekipit të Unitetit të Kosovës, i udhëhequr nga presidenti Rugova, me presidentin Marti Ahtisaari, që shënon fillimin e dialogut për statusin e Kosovës, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.