Rexhep Selimi dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt - Foto: KALLXO.com

Rexhep Selimi Po Dëshmon në Gjykimin e Limajt

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës po vazhdon gjykimi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte që lidhet me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës.

Në seancën e sotme po dëshmon deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, i cili në kohën kur ka ndodhur vrasja e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishi, më 2 tetor 1998, ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Në kohën kur ka ndodhur vrasja e këtyre dy civilëve (Selman Binishi dhe Ramiz Hoxha) dhe po ashtu gjatë gjithë kohës së luftës unë nuk kam pasur informacion për këto vrasje. Nuk e di saktësisht por me këta emra jam njohur shumë vonë, saktësisht kur këta emra janë përmendur në media viteve të fundit” Rexhep Selimi.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Bellanica”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.