Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Muhamet Alidemajt për masakrën e Izbicës, i akuzuari nuk e dha sot mbrojtjen

Në Gjykatën e Prishtinës për sot, më 10.06.2024, ishte paraparë të jepte mbrojtjen i pandehuri Muhamet Alidemaj, i akuzuar për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.

Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur gjatë seancës së sotme dhe i akuzuari mbrojtjen e tij do ta japë më 18.06.2024.

Arsyeja pse i akuzuari Muhamet Alidemaj nuk ka mundur të japë mbrojtjen është për shkak se seanca u ndërpre deri në sigurimin e aktgjykimit të Gjykatës së Pejës – dega Istog.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, bëri të ditur se mbrojtja kishte dorëzuar disa prova në seancën e kaluar mirëpo prokurori kërkoi që ato prova të hidhen poshtë.

Kujtojmë se seanca e kaluar ka qenë e mbyllur për publikun dhe KALLXO.com lidhur me këtë kishte raportuar më 13.05.2024.

“Këto prova kanë disa mangësi bazike ligjore dhe i kundërshtojmë për shkak të besueshmërisë, rëndësisë së provës dhe vlerës provuese të provës” – tha prokurori Ilir Morina.

Ai i propozoi Gjykatës që provat t’i shpallë të papranueshme dhe të mos i konsiderojë si prova.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Alidemaj, avokati Millosh Delloviq, tha se prokurori special ka folur në përgjithësi për papranueshmërinë e provave dhe se, sipas tij, në këtë mënyrë mund të dyshojmë në çdo provë e cila është parashtruar edhe nga ana e Prokurorisë  Speciale edhe nga ana e mbrojtjes.

“Gjithashtu prova e propozuar – libreza e punës në emër të Muhamet Alidemaj kemi dëgjuar me dhjetëra herë në këtë procedurë se Muhamet Alidemaj kinse ka shërbyer me emër tjetër” – shtoi tutje avokati Millosh Delloviq.

Trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismajlit – kryetar, anëtarët Kushtrim Shyti dhe Violeta Namani, pas këshillimit mori aktvendim se do të refuzohen që në cilësi të provave të administrohen fotografit e librezës së punës për shkak se provave të propozuara nuk u dihet origjina prej nga vijnë.

Po ashtu trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes që nga pikë kalimi kufitar në Jarinjë të vërtetohet se me çfarë dokumenti ka kaluar kufirin i akuzuari Muhamet Alidemaj.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti, sipas aktakuzës, më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, e me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur.

Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjetën në varrezat masive në Batajnicë, në Serbi.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998-1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.