Foto: KALLXO.com
Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj dy të akuzuarve për krime lufte të kryera në Vushtrri
Në Gjykatën e Prishtinës më 30.05.2024 ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, të akuzuar për krime lufte të kryera në territorin e komunës së Vushtrrisë.
Seanca dështoi të mbahet për shkak se mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresa.
“Shkresat e lëndës kam qenë për t’i kërkuar javën e kaluar mirëpo ata nuk ishin të gatshme. Prokuroria e ka si obligim të m’i dërgojë shkresat. As i akuzuari nuk ka pranuar dhe as nuk ka lexuar asgjë nga provat të cilat i ka Prokuroria” – tha avokati Predrag Milkoviq, mbrojtësi i të pandehurit Zoran Kostiq.
“Mendoj se nuk ka kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi. Unë kam qenë 3 herë në Prokurorinë Speciale për t’i marrë shkresat dhe provat, herën e fundit kur kam qenë i kam pranuar provat e pamjaftueshme” – tha avokati Millosh Delloviq, mbrojtësi i të pandehurit Dragan Milloviq.
Sipas avokatit Millosh Delloviq, në mungesë të shkresave të lëndës ky gjykim nuk i plotëson kushtet ligjore për të vazhduar tutje.
“Konsideroj se nuk ka kushte që të mbahet ky shqyrtim i sotëm sepse neve na kalojnë afatet e përcaktuara me ligj për mbrojtje dhe ne nuk e dimë se kur këto shkresa do të na sigurohen. Pasi që kjo është një vepër shumë e rëndë penale konsideroj se duhet të jepni të gjitha shkresat para se të deklarohen” – shtoi tutje avokati Millosh Delloviq.
Mirëpo, sipas prokurores Florie Salihu Shamolli, më 22.05.2024 u është dërguar emali për marrje të provave mirëpo për shkak të procedurës nuk ka ardhur për t’i marrë.
Sipas gjyqtarit Lutfi Shala, detyrimi ligjor nuk u përmbush dhe për shkak të kësaj mospërmbushje ligjore Gjykata e obligon Prokurorinë Speciale që t’i zbulojë të gjitha provat në afat prej 7 ditësh për mbrojtjen.
Më pas dy avokatë kërkuan nga Gjykata që mbrojtësve të tyre t’u ndërpritet paraburgimi dhe t’u zëvendësohet me masën e dorëzanisë apo me ndonjë masë tjetër.
Ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Florije Salihu Shamolli dhe po ashtu u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala.
Seanca e radhës do të mbahet më 11.06.2024.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 06.04.1999, i akuzuari Zoran Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani.
Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve të tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik si: I.U., M.U me bashkëshorte, B.U., F.U., S.U. dhe F.U.
Tutje sipas aktakuzës në ditën kritike vriten edhe T.U. me bashkëshorten H.U. dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive, dhe djegin kufomat e familjes Ujkani.
Gjithnjë sipas aktakuzës i njëjti në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre duke e detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Dragan Milloviq si dhe pjesëtarë të tjerë të uniformuar, tani për tani të paidentifikuar, gjatë muajit maj 1999, me uniforma të policisë dhe ushtrisë se Serbisë në Vushtrri, në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20,000 banorë civilë të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit, dhe aty te akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.
Me këto Prokuroria të lartcekurit i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – krimet e luftës kundër popullatës civile.