Gjykimi për rastin 'Stenta' FOTO: KALLXO.com
Rasti ‘Stenta’, dëshmon kardiologu Tefik Bekteshi
Në gjykimin ndaj ish-Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, si dhe ish-sekretarit të MSh-së Gani Shabani për rastin “Stenta”, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua kardiologu Tefik Bekteshi.
Fillimisht Prokurorja e rastit Florie Shamolli pyeti dëshmitarin për arsyen e paraqitjes në mënyrë vullnetare si dëshmitar për rastin “Stenta”, në prokurori.
Në përgjigjen e tij kardiologu, tregoi se arsyeja kryesore e paraqitjes si dëshmitar ishte se e kishte parë si obligim qytetar dhe profesional të deklaronte për rastin e tillë.
“Arsyeja është se unë punoj në kardiologji dhe gjithmonë kam qenë i interesuar që sëmundjet e sistemit kardiovaskular të trajtohen siç duhet, andaj gjithmonë kam thënë se QKUK-ja, ka mundësi dhe stafin e duhur që të trajtoje këto raste, dhe secili nga ne që konsideron se ka diçka për të thënë duhet ta thotë, ngase është obligim qytetar, “ deklaroj Bekteshi.
Në pyetjet e prokurores se a ka pasur kushte që këto raste të trajtohen në QKUK, kardiologu Bekteshi tha se këto raste kanë mund të trajtohen që nga viti 2006 në QKUK.
“ Fillimisht në vitin 2004 është blerë aparati i nevojshëm i cili deri në vitin 2006 ka qëndruar në magazinë. Në vitin 2006 është rregulluar salla operative e cila ka qenë e gatshme për ndërhyrjet e tilla, mirëpo deri në vitin 2008 salla nuk ka funksionuar e gjitha kjo si pasojë e mungesës së organizimit të menaxhmentit të QKUK-së dhe si pasoj e prishjeve të shpeshta të aparatit dhe mungesës së materialit shpenzues nuk kemi pasur mundësi ti kryejmë intervenimet e tilla, “ tha Bekteshi.
Tutje ai tregoi kur kanë filluar intervenimet e para nga mjekët e QKUK-së .
“ Intervenimet e para ku janë vënë stentat janë kryer në vitin 2010 në 3 raste, pas saj në vitin 2013, 64 raste, ndërsa këto 9 muajt e fundit të gjitha rastet e intervenimit me stenta po kryhen në QKUK, ku deri me tani në gjashtë mujorin e parë kemi intervenuar në 650 raste me po të njëjtin staf i cili ka qenë që nga viti 2006,“ tha Bekteshi.
Më pas Tefiku tha se ekzistonte një memorandum bashkëpunimi me institucione private shëndetësore të cilin e kishte dëgjuar në mbledhjen e bordit.
“Në një mbledhje na është thanë se mund të dërgojmë pacientë nga QKUK-ja në spitale private dhe sa e mbaj mend kemi qene unë dhe Dr. Pallaska qe e kemi kundërshtuar, me arsyen se QKUK-ja, me organizim shumë të vogël ka mund të kryej punën te cilën e kanë bërë spitalet e tilla private. Memorandumi ka qenë i vendosur në mënyrë publike në Spital ku menaxhohen pacientet internistik para tavolinës ku trajtohen pacientët. Për mua ka qenë fyerje ngase mendoj se që atëherë kemi pas mundësi të organizohemi dhe të gjitha procedurat e tilla ti kryejmë në QKUK, “ tha Kardiologu.
Ish ministri Agani, pyeti dëshmitarin se a i ishte angazhuar mjaftueshëm si ministër për zhvillimin e shërbimeve publike në Kardiologji.
“Në dispozitiv të aktakuzës thuhet se nuk është punuar sa duhet për zhvillimin e shërbimeve publike të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, a mendoni se nuk ka angazhim nga niveli politik në këtë drejtim, “ pyeti Agani.
Ndërsa Kardiologu tha se Ministria ka qenë aktive duke formuar borde dhe duke shfaqur ide por jo edhe duke i realizuar ato.
Pyetje parashtroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Nikë Shala.
“A keni njohuri që gjatë periudhës kohore 2010- 2015, i mbrojturi im në rolin e sekretarit të ketë tejkaluar autorizimet e tij, apo të ketë përfituar fonde në mënyrë të kundërligjshme, “ pyeti avokati Shala.
Ndërsa dëshmitari Tefik Bekteshi tha se nuk është në dijeni.
Ish ministri Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Sipas aktakuzës, këta dy i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
KALLXO.com ka raportuar për këtë gjykim në vazhdimësi
https://kallxo.com/rasti-stenta-ish-ministri-agani-sot-para-gjykates/