‘Stenta 2’ drejt fundit

Në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin ‘Stenta 2’ ka përfunduar procedura e administrimit të provave materiale. Nesër Gjykata pritet të fillojë  me dëgjimin e mbrojtjes së të akuzuarve.

Në seancën e sotme, u propozuan provat nga ana e mbrojtjes dhe gjithashtu u trajtua prova e propozuar nga prokuroria seancën e kaluar.

Prokurorja  e rastit Florie Shamolli, ka propozuar një ekspertizë që është trajtuar në rastin ‘Stenta 1’ ku kanë qenë të akuzuar Ferid Agani dhe Gani Shabani, mirëpo janë liruar nga akuza.

‘Stenta 2’, Prokuroria kërkon që si provë të merret edhe ekspertiza që tregon dëmin 4 milionë eurosh dhe jo vetëm ajo 11 mijë euro

Sipas Prokurores, ekspertiza precizon se dëmi total i shkaktuar nga të akuzuarit është rreth 11 mijë euro e jo siç është e përcaktuar sipas saj nga ekspertiza në aktakuzë mbi 4 milionë euro.

“Siç e kam theksuar në seancën e kaluar për ekspertizën financiare, si provë materiale propozoj të lexohet edhe procesverbali i shqyrtimit gjyqësor meqë eksperti e ka elaboru në mënyrë më të gjerësishme dhe ka ardh në përfundim se në rastin konkret kemi të bëjmë me një tejkalim ku vlera e dëmit është 11,430 euro” – tha prokurorja Florie Shamolli në seancë.

Për këtë provë i akuzuari Gani Bajraktari deklaroi se nuk duhet të ketë më shqyrtim gjyqësor për këtë rast.

“E kam lexu me shumë vëmendje ekspertizën dhe ajo e vërteton se për ato 4 milion euro që ne nuk kemi të bëjmë me to, ato 11 mijë euro për mua janë krejt irelevante, e ato ia ngarkon Ministrisë një institucioni tjetër që ne nuk punojmë aty e neve nuk na intereson fare, e ky gjyq nuk ka kuptim të vazhdojë sepse ekspertiza ka treguar se fajin për ato 11 mijë euro e kanë ata atje e jo na këtu, na s’kemi  lidhje me to” – tha i akuzuari Bajraktari.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra (tashmë i vdekur), Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra por i njëjti ka ndërruar jetë dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendon se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK