Gjykimi ne rastin "Stenta"

I akuzuari në rastin 'Stenta' merr drejtimin e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK

Ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë është zgjedhur kardiologu i kësaj klinike Lulzim Kamberi.

KALLXO.com merr vesh se Kamberi është zgjedhur drejtues i kësaj klinike pasi javën që shkoi, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kishte marrë vendim që të shkarkoj nga pozita e drejtorit të Kardiologjisë, Imri Jasharin.

Kamberi është emëruar në këtë pozitë me 10 qershor 2021 dhe do të vlejë derisa ky institucion do të marrë vendim tjetër.

Lulzim Kamberi është i akuzuar në rastin “Stenta” për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Për këtë rast është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe momentalisht është fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga Kamberi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Po ashtu, KALLXO ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, por as Krasniqi nuk ka qenë i qasshëm.