Rasti ‘Stenta’, kardiologu i akuzuar: Ky veç Pallat i Drejtësisë s’është

38 doktorët e akuzuar në rastin ‘Stenta’ konkretisht tek pjesa e dytë e këtij rasti, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve.

Në fillim të shqyrtimit, trupi gjykues deklaroi se është njoftuar se njëri nga të akuzuarit, Reshat Emra ka ndërruar jetë kështu ndaj tij ka pushuar procedura penale.

Kurse i akuzuari, Daut Gorani, kishte lajmëruar gjykatën që nuk mund të merrte pjesë në gjykim për shkak të një trajtimi mjekësor në Gjermani.

Trupi gjykues, njofton se pas mungesës së të akuzuarit Gorani, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e kësaj seance.

Si të vetmen mundësi për vazhdimin e gjykimit, trupi gjykues e dha veçimin e procedurës ndaj Daut Goranit.

Mirëpo kundër kësaj alternative ishte i akuzuari i parë i këtij rasti, Gani Bajraktari, i cili deklaroi se sot ai ishte dashur të jetë në një seminar si ‘udhëheqës i kardiologëve të Kosovës’ mirëpo kjo seancë ia ka pamundësuar vijimin e tij.

Tutje, kardiologu shprehu revoltën e tij me këtë aktakuzë, meqë sipas tij akuzat që e rëndojnë janë thjesht një ‘merak’ i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendit.

“Ky proces ka filluar pas një hetimi tepër të madh ku janë mundu shumë me më gjetë keq, kur të gjithë pacientët e mi kanë vetëm fjalë të mira për mua. Besim Kelmendit i ka mbet fort zhig i madh me më burgos, se 12 veta i patën burgos e ata asnjë nuk janë këtu sot, ne që jemi shumica as nuk e dinë për çka janë, ky vend e ka emrin Pallat i Drejtësisë po veç drejtësi nuk po ka” – tha kardiologu Bajraktari.

Një deklaratë të tillë e kundërshtoi trupi gjykues.

Me dështimin e seancës së sotme, dështoi edhe seanca që pritej të mbahej nesër për këtë rast duke u shtyrë kështu gjykimi për datën 22 shkurt 2023.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra (tashmë i vdekur), Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendon se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.