Raporti i institutit GAP | Foto: KALLXO.com

Rastet Sociale ‘Vëzhguese’ të Faljes së Borxheve

Falja e borxheve përmes ligjit për këtë qëllim po konsiderohet nga Instituti GAP se nuk ka qenë transparente dhe nuk është raportuar saktë.

“Sipas analizës sonë procesi i faljes së borxheve në Kosovë nuk ka qenë transparent dhe nuk është raportuar saktë. Komisioni për Mbikëqyrjen e Faljes së Borxheve në Ministrinë e Financave faktikisht nuk ka arritur të sigurojë raporte nga të gjitha ndërmarrjet në republikën dhe institucionet shtetërore. Dhe të dhënat për faljen e borxheve nuk kanë qenë të qasshme për publikun”, tha Nora Jusufi.

Megjithatë GAP-i, nismën për faljen e borxheve e vlerësoi iniciativë të mirë për lehtësimin e barrës së disa konsumatorëve që e shfrytëzuan atë dhe për ta parë sa ka detyrime ndaj institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe sa këto institucione dhe ndërmarrje kanë arritur të inkasojnë borxhe.

Por nga perspektiva e institucioneve të anketuara Nora Jusufi tha se  suksesi i tij ka qenë i pjesshëm, kryesisht për shkak të gjendjes së dobët ekonomike të qytetarëve.

Gjatë prezantimit të raportit u tha se nga ky ligj kanë përfituar njerëzit me të ardhura më të larta.

“Vërehet se më shumë kanë përfituar njerëz të cilët kanë të ardhura familjare më të larta sesa ata më të vogla. Sa për ilustrim, 50 për qind e respodentëve që kanë të ardhura më të larta mbi 900 euro kanë përfituar, ndërsa ata të cilët nuk kanë realizuar fare të ardhura gjatë një muaji kanë përfituar vetëm 38 për qind prej tyre”, tha më tutje Jusufi.

Zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi tha se Ligji për faljen e borxheve nuk u ka dhanë mundësi të përfitojnë rasteve sociale.

“Ligji ka qenë i lidhun në dy faza, faza e shlyerjes tërësisht të borxheve deri në vitin 2008 dhe ka qenë kushti që të kryhen obligimet prej 1 janari 2009 deri me 31.12.2014. Ky është ai problemi që të rastet sociale nuk kanë mund me i shlye këto borxhe dhe nuk kanë mund të marrin atë benefit për fshirjen e borxheve deri me 31.12.2008”, tha Gashi.

Gashi tha se duhet të bëhet një analizë për të shikuar se si mund t’u ndihmohet rasteve sociale në lidhje me borxhet.

Kreu i Zyrës Kombëtare të Auditimit Besnik Osmani tha ky proces ka qenë i paqëndrueshëm

“Procesi ka qenë i paqëndrueshëm. Arsyeja pse procesi ka qenë i paqëndrueshëm lidhet me nenin 5 të ligjit i cili shumë mirë ka përcaktuar para se të fillohet procesi i faljes së borxheve duhet të përpilohet lista finale e atyre që përfitojnë”, tha Osmani.

Ai tregoi se këtë listë e kanë nxjerrë vetëm Dogana e Kosovës dhe Administratat Tatimore.

“Në këtë rast ATK dhe Dogana ka nxjerrë listën për faljen e borxheve, asnjë nga komunat nuk e ka nxjerrë listën për faljen e borxheve, asnjë nga ndërmarrjet publike nuk e ka nxjerrë. Kjo pastaj e ka bë procesin e paqëndrueshëm pasi nuk ka qenë e qartë cilët do të jenë përfituesit konkretë dhe përfitimet konkrete”, tha Osmani.

Në raportin e institutit GAP thuhet se borxhi total deri në fund të vitit 2008 ishte 584 milionë euro.

Sipas GAP-it janë falur rreth 56 për qind e borxheve që i takojnë periudhës deri në fund të viti 2008 dhe janë inkasuar rreth 30 për qind e borxheve për periudhën 2009 deri 2014.

Gjithashtu në konferencë u tha se për shkak të mosraportimit të saktë, shifrat për faljen e borxheve dhe atyre të mbetura ende nuk dihen saktë.

GAP rekomandon se Ministria e Financave duhet patjetër t’i publikojë të dhënat e detajuara për procesin e shlyerjes së borxheve.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit GAP-i shpreson që ta bëjë auditimin e rregullsisë për procesin e faljes dhe shlyerjes së borxheve, ndërsa Qeverisë së Kosovës i rekomandohet të falë me automatizëm  borxhet për familjet nën skemën sociale.