Foto: KALLXO.com

GAP: Kryetari i Prishtinës me 206 premtime e kryetari i Vitisë me 19 premtime

Instituti GAP ka prezantuar premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës nga zgjedhjet e fundit lokale për mandatin qeverisës 2021 – 2025.

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se nga viti 2019 kanë bërë listimin e premtimeve nga kandidatët për kryetar të komunave.

Në zgjedhjet e fundit 165 kandidatë e kanë synuar pozitën e kryetarit të komunës.

Prej 165 kandidatëve vetëm 11 kanë qenë gra.

“Ne kërkojmë që në zgjedhjet e ardhshme kjo qasje të ndryshojë”, ka deklaruar Salihu.

Numrin më të madh të kandidatëve e ka pasur qyteti i Prizrenit me 8 kandidatë për kryetar pastaj e dyta Prishtina me 7 kandidatë.

Po ashtu Salihu nga GAP ka thënë së kemi pasur ndryshime edhe në pushtet.

“Në 12 komuna kemi pasur ndryshim të pushteteve ndërsa në 11 komuna tjera kemi vetëm ndryshim të Kryetarit të Komunës” është shprehur Salihu.

Sipas të dhënave të GAP-it, numrin më të madh të premtimeve e ka dhënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, 206 premtime ndërsa më së paku premtime ka dhënë kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, gjithsej 19.

Po ashtu sipas GAP-it, ka pasur tendenca edhe për ndryshim të programit nga ana e kandidatëve.

“Ka pasur tendencë të ndryshohet programi nga ana e dy kandidatëve për kryetar të komunës”, është thënë nga GAP.

Numri total i premtimeve nga kryetarët e komunave është 1.819.