Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rreth 50% e punëtorëve të RTK-së janë paguar mbi 1 mijë euro në muaj në vitin 2021

Instituti GAP ka bërë një hulumtim rreth pagave të punëtorëve të Radio Televizonit të Kosovës (RTK), duke u bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas hulumtimit të GAP, del se rreth 50% e punëtorëve të RTK-së nga 900 sa kanë qenë gjithsej, janë paguar mbi 1 mijë euro në muaj në vitin 2021.

Më konkretisht, 18.4% e punëtorëve të RTK-së, apo shprehur në numra saktë 165 punëtorë janë paguar 750 deri në 1 mijë euro në muaj në vitin 2021.

Tutje, 23.3% apo 209 punëtorë të RTK-së janë paguar 1 mijë deri në 1200 euro.

28.1% apo rreth 252 punëtorë kanë marrë 1,200 deri në 1,500 euro në muaj. Rreth 156 punëtorë apo 17.4% të të punësuarve janë paguar 1,500 deri në 1,800 euro.

4% apo 36 kanë marrë 1,800 deri 2 mijë euro kurse 27 punëtorë apo 3% janë paguar 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro.

Tutje, 1.2% apo rreth 10 punëtorë kanë marrë 2,500 deri në 3 mijë euro ndërsa 5 punëtorë janë paguar me 3 mijë euro në muaj në vitin 2021.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditmit në raportin e publikuara në vitin 2021, në dhjetor të vitit 2019, RTK ka pasur të angazhuar 238 bashkëpunëtorë të jashtëm, në dhjetor të vitit 2020 i ka pasur 218 dhe në dhjetor të vitit 2021 i ka pasur gjithsej 258.

“Arsyetimet e shpeshta në propozimet e bëra për angazhimin e bashkëpunëtorëve janë shtimi i vëllimit të punës, mungesë e stafit në njësitë përkatëse apo pensionimi i stafit. Kërkesa për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm ka ndodhur çdo vit”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mungesë evidencash për vijueshmërinë në punë të stafit në Radio Televizionin e Kosovës.

Auditori ka gjetur se nga gjithsej 763 punonjës të rregullt të RTK-së, 126 prej tyre nuk kanë poseduar kartelë elektronike për evidentimin e tyre në punë pasi për arsye të ndryshme kishin humbur kartelat e evidentimit dhe se RTK nuk kishte prodhuar kartela të tjera rezervë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Sipas raportit, ZKA për tetë punëtorë nuk kanë pranuar asnjë dëshmi se ata kanë punuar gjatë vitit të kaluar. Kostoja e pagave bruto për këta tetë punonjës është 64,630 euro, shumë të cilën RTK e ka paguar për vitin 2021.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mungesë evidencash për vijueshmërinë në punë të stafit në Radio Televizionin e Kosovës. Sipas raportit, ZKA për tetë punëtorë nuk kanë pranuar asnjë dëshmi se ata kanë punuar gjatë vitit të kaluar.

Gjithsej 15 punonjës nuk janë evidentuar në punë nga 10 deri në 12 muaj të vitit. Prej tyre, në shtatë raste kanë pranuar konfirmime alternative nga mbikëqyrësit e tyre se ata kanë punuar gjatë gjithë vitit, kurse për tetë jo.

Në fund të vitit 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte njoftuar se ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Radio Televizionit të Kosovës.

Auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të RTK-së për herë të fundit nga ZKA-ja është kryer në vitin 2010. Që atëherë auditimi i PFV-ve të RTK-së është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura të prokurimit. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.

Në kuadër buxhetit për vitin 2022, Qeveria ka ndarë 8 milionë e 960 mijë euro buxhet total për RTK-në.