Prerja e shiritit për Repartin e Ri të Shërbimit Intensiv, Foto: Facebook/Uran Ismaili

QKUK me repart të ri të shërbimit intensiv

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka njoftuar se QKUK është bërë me shërbim të ri intensiv i cili është pajisur me 27 shtretër dhe tani ka kapacitet për të përballuar 1 mijë pacientë gjatë vitit, dyfishin e deritanishëm.

Shërbimi i ri intensiv është investim prej 2 milionë euro nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

“Fatkeqësisht, jo rrallë historitë e qytetarëve tanë kanë pasur edhe fund të hidhur, si pasojë e mungesës së shtretërve në Intensivë. Sot, jam shumë i lumtur që kësaj historie i erdhi fundi. Me 27 shtretër, e pajisur me aparaturë moderne, me staf të shtuar profesional, është i gatshëm Shërbimi i ri Intensiv në QKUK”, ka shkruar ministri Ismaili në profilin e tij në Facebook.

Ministri Ismaili ka thënë se Reparti i shërbimit Intensiv, për vite me radhë, ka pasur më shumë kërkesa sesa që ka mundur t’i përballojë.

“Me vetëm 14 shtretër dhe pa infrastrukturë të duhur, kjo njësi e kujdesit dhe monitorimit 24-orësh për jetën e pacientëve, ka qenë kokëçarje e sektorit shëndetësor. Shpresoj që qytetarët tanë të kenë sa më pak nevojë për këtë repart, mirëpo është detyrë dhe obligim i yni që t’u gjendemi pranë kur ata kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Ismaili.