Qeveria tërhoqi Projektligjin për Financimin e Partive Politike

 

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marr vendim për tërheqjen nga procedurat e shqyrtimit në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se këtë propozim e ka bërë edhe në konsultim me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

“Unë e kam bo një konsultë me zyrën e Veselit dhe është propozuar që ky projektligj të tërhiqet nga procedurat”, tha kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë.

Vendimi për tërheqjen e projektligjit erdhi pas presionit të vazhdueshëm të shoqërisë civile në Kosovë, të cilat kundërshtonin atë për shkak se sipas tyre, ky është një projekt që shkon në interes të subjekteve të caktuara politike.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj javën e kaluar kishte propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë të merret vendim për tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Partive Politike nga Kuvendi i Kosovës.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës”, kaishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas kryeministrit tërheqja e këtij projektligji është vendim i duhur.

 

 

https://kallxo.com/shoqeria-civile-kerkon-te-terhiqet-projektligji-per-financimin-e-partive-politike/

.