Qeveria Pajtohet me dy Vjet më Shumë EULEX

Qeveria e Kosovës miratoi sot projektligjin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe e dërgoi atë në Kuvend për shqyrtim.

Këtë vendim e ekzekutivi kosovar e mori në mbledhjen e sotme të mbajtur në orën 8:15.

Ndër vendimet e marra për këtë çështje, qeveria sot ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE për sundimin e ligjit (EULEX) si dhe plotësim- ndryshimet e projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e këtij misioni.

Kryeministri Isa Mustafa tha se qeveria e mirëpret vazhdimin e mandatit të këtij misioni dhe se shpreson që prezenca e EULEX-it në Kosovë “do ta përshpejtojë reformën e nevojshme në drejtësi”.

“Janë pjekur kushtet për transferimin e më shumë përgjegjësive nga EULEX në institucionet vendore, dhe EULEX të japë kontribut në monitorim, mentorim e këshillim”, tha Mustafa.

Ai tha se Kuvendi duhet të vendosë për vazhdimin e mandatit të këtij misioni jo më larg se deri më 14 qershor.

“Meqenëse është afat i shkurtë e kohë pushimesh, meqë deputetët kanë nevojë të njihen paraprakisht me përmbajtjen e këtyre projektligjeve, sepse kërkohet një shumicë e cilësuar, ne kemi vendosur që sot t’i procedojmë këto dy projektligje dhe kurdo që paraqitet nevoja të plotësojmë çdo kusht të nevojshëm formal”, tha Mustafa.

Paraparakisht, Mustafa tha se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka dërguar letrën formale Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për t’i kërkuar asaj që EULEX të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se mandati i EULEX-it duhet të vazhdojë “së paku dy vjet”.

“Jemi pajuar që EULEX të transferojë një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore… kemi propozuar që një numër i rasteve të cilat kanë filluar më herët të mbeten në kompetencë të EULEX, dhe transferi i tyre të jetë në mënyrë diskredicionale nga EULEX për një arsyetim dhe llogaridhënie të institucioneve vendore”, tha Kuçi.

Bashkë me mandatin e EULEX-it pritet t’u vazhdohet mandati edhe tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.