Punëtorët e Telekomit me peticion kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile

Sindikata e Pavarur e Postës (PTK), ka njoftuar se kanë mbledhur një peticion me 1,850.00 nënshkrime të punëtorëve kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile.

Kryetari i Sindikatës së PTK-së, Lamih Balaj, gjatë një konference për media e ka quajtur të dëmshme për buxhetin e Kosovës vazhdimin e kësaj kontrate e cila skadon më 30 korrik.

“Në këtë gjendje e kanë sjell Telekomin, kontratat e dëmshme dhe korruptive të lidhura ndërmjet organeve udhëheqëse të korruptuara të PTK dhe kompanive të ndryshme jashtë Telekomit. Dëmet që Telekomi i ka pësuar nga kjo kontratë janë – humbjet e drejtpërdrejta financiare dhe dëmet teknike, të cilat indirekt kanë shkaktuar edhe humbje financiare”,  u shpreh ai.

Ai thotë se përmes këtij peticioni kërkojnë nga të gjitha institucionet vendimmarrëse që të mos lejojnë vazhdimin e kontratës, pasi që sipas tyre, pa ketë kontratë, Telekomi mund të mbijetojë dhe bëhet fitimprurëse për buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, Balaj numëroi dëmet që sipas tyre janë shkaktuar.

“Rreth 110 milionë euro janë humbur nga fitimi 73% për Z-Mobile, kurse 27% për Telekomin, edhe pse e tërë infrastruktura telekomunikuese si dhe mirëmbajtja e saj i përket Telekomit; Grabitja e rreth 300 mijë konsumatorëve të Telekomit nga ana e Z-Mobile; Konkurrenca e egër kundër TK përmes çmimeve nën konston e tregut nga ana e Z-Mobile; Humbjet rreth 30 milionë euro nga proceset gjyqësore kundër TK-së. Gjithashtu, na kanë shkaktuar edhe dëme teknike, siç është pamundësia e ofrimit të shërbimeve tona të reja për shkak të zënies së kapaciteteve tona të rrjetit nga shërbimet e lëshuara pa limit nga ana e Z-Mobile”, u shpreh Balaj.

Ndërkaq, sa i përket borxhit të cilën pretendon Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës, Balaj theksoi se: “Asnjëherë nuk do ta pranojnë si borxh të telekomit”.

https://kallxo.com/z-mobile-i-kerkon-gjykates-ta-detyroje-telekomin-te-paguaje-rreth-30-milione-euro-gjobe/

.