Shqipe Pantina - Foto: Atdhe MULLA

PSD-ja kërkon ndryshime në Projektligjin për RTK-në

Partia Socialdemokrate (PSD), ka kritikuar projektligjin për mediumin publik si dhe ka dhënë sugjerimet e saj për ndryshim, duke kushtëzuar kështu8 votën për këtë projektligj.

Shqipe Pantina, deputete e PSD-së, përmendi problemet të cilat i ka transmetuesi publik.

“I vetmi medium publik në Kosovë përreth një dekade tashmë RTK-ja është kontrolluar krejtësisht nga pushteti dhe ka shërbyer si altoparlant propagandues si dhe çerdhe e punësimit të familjarëve e të militantëve të partive në pushtet dhe më së shumti të PDK-së”, tha ajo.

Sipas saj projektligji i ri nuk garanton pavarësinë editoriale dhe menaxheriale  të RTK-së.

“PSD-ja mendon se RTK-ja duhet të jetë medium publik dhe i pavarur, projektligji aktual që është miratuar në lexim të parë në Kuvend ndonëse ka përmirësime nuk e garanton këtë pavarësi, prandaj PSD mendon se pa pavarësi financiare të RTK-së nuk mund të ketë as pavarësi menaxheriale e as editoriale”, shtoi ajo.

Pantina ka thënë që mënyra më e mirë për funksionimin e duhur të RTK-së është financimi i saj nga qytetarët, ku përmendi një pagesë vjetore në vlerë prej 20 eurosh.

“PSD-ja propozon që RTK, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të financohet drejtë për së drejti nga qytetarët përmes një tarife e cila nuk duhet të jetë më e madhe se 20 euro në vit, bordi i RTK-së, duhet që brenda 6 muajve të hyrjes në fuqi të ligjit të hartoj një strategji dhe të nxjerrë rregullore për mënyrën e inkasimit të tarifës vjetore”, tha ajo;.

Sipas saj familjet me asistencë sociale duhet të lirohen nga kjo tarifë, ndërsa mënyra e inkasimit të kësaj tarife duhet ti lihet bordit.

Dukagjin Gorani, deputet i PSD-së, propozoi edhe disa ndryshime të cilat sipas tij duhet të bëhen në bord.

“Njëra ndër mënyrat sesi PSD-ja e sheh zgjidhjen është e mënyra sesi përzgjidhet trupi kryesorë i RTK-së, e ajo është bordi. Sipas PSD-së numri i anëtarëve duhet të zvogëlohet prej 11-të anëtarë sa janë aktualisht në 7, dhe duhet të mbikëqyret mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve”, theksoi Gorani.

Ai tutje shtoi se edhe mandati i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, duhet të ndryshohet.

“Deri sot problemi kryesor- në funksionimin e RTK-së kanë qenë emërimet politike në anëtarët e bordeve, mandati i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, duhet të kufizohet në vetëm 2 mandate, kjo poashtu është kërkesë e PSD-së e cila është pjesë e 11-të amendamenteve të cilat i kemi dorëzuar”, shtoi ai.

Gorani theksoi se nëse nuk merren parasysh këto sugjerime PSD-ja nuk e voton këtë projektligj

“PSD-ja insiston që pa marrjen parasysh të këtyre sugjerimeve, Ligji për RTK-në është i papërkrahshëm nga ana jonë, PSD-ja kërkon që pa këto ndryshme mos kalohet një ligj i cili nuk siguron pavarësinë dhe e vazhdon keqmenaxhimin edhe për të ardhmen”, tha ai.