Protestë dhe Kundër-Protestë në Universitetin e Pejës

Edhe sot para Rektoratit të “Haxhi Zekës” u protestua ndaj drejtuesve të këtij universiteti, pasi Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nuk akreditoi 7 programe të tij.

Protestuesit u mblodhën për të kundërshtuar punësimet partiake, kërkuan depolitizimin e universitetit dhe dhënien e bursave.

Por një grup tjetër studentor sot protestoi kundër atyre që po protestojnë.

Ardit Berisha, kryetar i Organizatës “Zëri Studentor” tha se ata që sot po protestojnë kanë qëllime politike dhe inate ndaj menaxhmentit.

“Këta persona me sot kanë qenë në përfaqësim studentor, që katër vite udhëheqin me parlament studentor dhe sot këta po ju bie ndërmend një reagim për studenta. Deri sot asnjë reagim nuk pati për studenta, sot po qohen kishe po bojna protesta. Po shihet pra qëllimi i tyre që është shfaqje e inatit kundër rektoratit. Edhe na jena të shqetësuar me procesin e akreditimit, për ata sot këta i kanë vetëm 20 studenta”, tha Berisha.

Por Mërgim Ibra, njëri nga organizatorët e protestës kundër menaxhmentit tha se studentët që sot organizuan kundër-protestë hynë kundërligjshëm në Parlamentin Studentor.

“Këta kolegë të dashur janë kolegë të cilët me shkelje ligjore statusore në thonjëza kanë ardhur në pushtet në udhëheqje të studentëve javë me parë, mirëpo jashtëligjshëm. Unë e kuptoj shqetësimin e tyre sepse me këto kërkesa që ne po bëjmë ju lëkunden edhe atyre të gjitha veprimet jashtëligjore”, tha Ibra.

Ibra nuk e mohoi se grupi protestues kundër menaxhmentit e përkrah një subjekt politik.

“Me kushtetutën me të cilën ne jetojmë, si rregull dhe akt normativ nuk parandalohet përkrahja për ndonjë subjekt politik, mirëpo ndalohet ndërhyra e subjekteve politike dhe animi në Universitetin ‘Haxhi Zeka’”, tha ai.

Por Mustafë Nuraj, njëri nga protestuesit tjerë në grupin e Ibrës, tha se edhe studentët që organizuan kundër-protestën janë anëtarë të subjekteve politike.

“Secili janë servilë të partive tjera. Absolutisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e thotë mu marrë me një subjekt të caktuar politik. Këtu janë ardhë me na provokuar, nuk është hera e parë”, tha Nuraj

Fadil Millaku, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, tha se asnjëherë menaxhmenti i universitetit nuk ka ndërhyrë te zgjedhjet mes organizatave studentore dhe nuk ka lobuar për asnjërën.