Foto-ilustrim

Prokurorja Heq Dorë nga Aktakuza Pas 10 Vjetësh

Gati 10 vjet pas ngritjes së aktakuzës, prokurorja Dulina Hamiti u tërhoq nga ndjekja penale ndaj Bashkim Osmanit, Florin Pecit, Blerim Halimit dhe Dardan Shalës, të cilët u liruan nga akuza.

Me aktakuzën e ngritur më 11 tetor 2007, Bashkim Osmani akuzohej  për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Gjithnjëë sipas aktakuzës, Osmani me qëllim të përfitimit ka paraqitur në pikën doganore Dheu i Bardhë, më 28 maj 2005 mjetet – pajisjet në kundërshtim me qëllimin e tyre të paraparë.

Sipas Prokurorisë, Osmani mjetet i ka paraqitur për prodhimin dhe paketimin e qumështit e i ka përdorur për prodhimin e lëngjeve.

Ndërsa, Florim Peci, Blerim Halimi dhe Dardan Shala akuzoheshin se kanë shpërdoruar detyrën e tyre si zyrtarë të Doganës.

Florim Peci akuzohej se si shef i ekipit të kontrollit është ngarkuar me shqyrtimin e lëndës “zhdoganim i pajisjeve – makinave të bëra nga ana e subjektit ekonomik ”Laberion” me datë 28 maj 2005, edhe pse më datë 10 mars 2006 njësia për vlerësim me origjinë ka lëshuar vendimin 45/06 në bazë të të cilit kompania “Laberion” duhej të ngarkohej me doganë dhe TVSH.
Hekuran Haxhimusa, njëri nga avokatët e këtij rasti, tha për KALLXO.com se provat për pafajësinë e të akuzuarve kanë qenë që nga fillimi.

“Prokurorja tha se pas shikimit të shkresave të lëndës, se ky rast është procedurë administrative, dhe hoqi dorë pas 10 viteve. Ne vazhdimisht për këto 10 vite e kemi thënë se kjo është procedurë administrative”, tha Haxhimusa.

Avokati tha se akuzuarit janë dëmtuar vazhdimisht si pasojë e këtij procesi gjyqësor pasi që nuk kanë mundur të avancohen.

Aktakuza ishte përpiluar nga prokurori Osman Mehmeti, ndërsa në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e përfaqësoi prokurorja Dulina Hamiti.