I akuzuari për narkotikë afër shkollave negocion marrëveshje për pranim të fajësisë

Adrian Qerimi ka dalur para gjykatësit në Gjilan për tu përballur me akuzën e Prokurorisë për posedim, blerje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Adrian Qerimi, me datën 20 shkurt të këtij viti në Gjilan në afërsi të kompleksit të shkollave të mesme ka poseduar narkotikë që i posedonte edhe për shitje.

Tutje sipas aktakuzës, Qerimi pasi ishte kontrolluar nga zyrtarët policor i janë gjetur 0.9 gram substancë narkotike e llojit marihuanë e cila edhe ishte konfiskuar.

Megjithatë, në seancën  e sotme, prokurori Arben Kadriu në seancë kërkoi precizimin-përmirësimin e aktakuzës duke larguar pikën që e ngarkon të akuzuarin me shitblerje të narkotikëve.

“Në rreshtin e dytë të dispozitivit largohen fjalët me qëllim shitje dhe shpërndarje si dhe cilësimi juridik i veprës penale tani është ‘me çka ka kryer veprën penale posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave prikotrope ose analoge’”, tha ai.

”Në pjesët e tjera aktakuza mbetet e pa ndryshuar”, shtoi prokurori.

Pas ndryshimit të aktit akuzues, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij propozuan qe të hyjnë në marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

Seanca u ndërpre pasi gjykatësi Agim Ademi e pranoi propozimin e të lartcekurve.

“Seanca e sotme do të vazhdojë me datën 19 mars, pasi që të njëjtën ditë do t’i skadojë paraburgimi të akuzuarit”, tha në fund gjykatësi Agim Ademi.