Pronari i kompanisë së lëngjeve nga Podujeva i dyshuar për fajde

Dy biznesmen të njohur në vend janë arrestuar në fund të javës, me dyshimet se janë përfshirë në veprimtari të fajdeve.

Bashkim Osmani pronari i kompanisë “Dona Laberion” dhe Shefik Rexhepi pronar i kompanisë ‘Euro Ab” dyshohen për një rast të fajdeve ku vlera tejkalon shumën 1 milion euro.

KALLXO.com ka siguruar dosjen hetimore të rastit. Aty tregohen vlerat e fajdes dhe mënyra se si ishte procedura.

Sipas dosjes, A.H një biznesmen ndërtimi nuk kishte arritur ta ndërtonte objektin e tij për shkak të krizës së pandemisë. Për të siguruar financimin, sipas dosjes, ai kishte kërkuar para nga Gëzim Sinani, një person që prokuroria e përshkruan si ndërmjetësin e fajdes.

Sinani kishte shkuar tek dy biznesmenët ku kishte siguruar rreth 900 mijë euro të cilat do i jepte me fajde me një kamatë prej 90 mijë eurosh. Dosja shpjegon se Shefik Rexhepi dha shumën prej 430 mijë eurosh, ndërsa Bashkim Osmani 550 mijë euro.

Sipas llogaritjeve për këto para paguheshin rreth 98 mijë euro në emër të fajdes.

I dëmtuari A.H., gjithnjë sipas Prokurorisë, për 11 muaj kishte pësuar dëm në shumën prej 1 milion e 100 mijë euro në emër të fajdes.

Rasti ishte ndërprerë në momentin kur në rastin e njohur ‘Brezovica’ ishin arrestuar Gëzim dhe Salih Sinani, mirëpo sipas prokurorisë borxhi kryesor ka mbetur në shumën prej 920 mijë euro.

Armaturë për Fajde

Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe mënyra të tjera të kontraktimit të fajdes.

Sipas prokurorisë, në një rast një biznesmen ndërtues kishte marrë 500 mijë euro me fajde nga i pandehuri Rexhepi, me kamatë.

Forma e kontraktimit në këtë rast kishte ndodhur duke kontraktuar armaturë në vlerë rreth 500 mijë euro, me fajde nga 2 mijë euro për kamion dhe 10 centë më shtrejntë për kilogram të armaturës.  Kjo armaturë ishte shitur tek personat e tjerë ndërsa paratë ishin marrë nga i dëmtuari Xh.SH.

Rrjedhimisht, sipas prokurorisë,  borxhi i tij kishte arritur mbi 1 milion euro dhe për të paguar borxhin dhe fajdet, i dëmtuari është detyruar që të marrë kredi në bankë, të cilat para pastaj janë transferuar në llogarinë e ndërmarrjes për prodhimin e betonit ‘Ima Sh.p.k.’, e cila është pronë e Gëzim Sinanit.

Në këtë mënyrë, thotë Prokuroria, i dëmtuari kishte pësuar dëm pasuror në vlerë rreth 500 mijë euro.

Më tutje në kërkesën e paraburgimit, Prokuroria pretendon edhe për një rast tjetër. Kësaj radhe sipas Prokurorisë, i dëmtuari me inicialet N.B., pronar i një ndërmarrje tregtare, për shkak të vështirësive financiare, është detyruar që të kërkojë para nga i dyshuari Gëzim Sinani, i cili i kishte marrë paratë nga i dyshuari tjetër Bashkim Osmani, në shumën prej 200 mijë euro, duke ia dhënë të dëmtuarit dhe duke kontraktuar një shumë të parave prej 12 mijë euro në muaj si fajde. Prej të cilave, sipas Prokurorisë, 8 mijë i ka marrë i dyshuari Bashmim Osmani dhe 4 mijë euro i dyshuari tjetër Gëzim Sinani.

Mirëpo, i dyshuari në pamundësi që t’i paguaj shumat e fajdes, është detyruar që t’i marrë edhe 200 mijë euro të tjera në kushte të njejta, duke i arritur borxhi në 1 milion e 96 mijë euro.

Për të shlyer këtë borxh, Prokuroria pretendon se i dëmtuari kishte marr një kredi në bankë në shumën prej 700 mijë euro, të cilat ia ka thënë të dyshuarit Gëzim Sinani, si dhe një banesë në vlerë prej 70 mijë euro, duke pësuar një dëm pasuror prej 330 mijë eurove.

Rasti tjetër me kamata të ngjashme 

Prokuroria ka pretenduar se të dyshuarit e lartëcekur janë përfshirë edhe në një rast tjetër të fajdes me të dëmtuarin e njëjtë me inicialet N.B. Ky i fundit kishte  marrë nga Gëzim Sinani shumën prej 80 mijë eurove, të cilat Sinani i ka marrë nga Bashkim Osmani e të cilat ia kanë dhënë të dëmtuarit N.B dhe duke kontraktuar shumën prej 8 mijë euro në muaj si fajde, pprej të cilave 6 mijë i ka marrë i dyshuari Bashkim Osmani dhe 2 mijë euro i dyshuari Gëzim Sinani.

Derisa, sipas Prokurorisë, borxhi ka arritur në 175 mijë euro, duke pësuar dëm pasuror prej 95 mijë eurove, e të cilin e ka marrë përsipër ta paguajë i dëmtuari tjetër Xh.Sh.

Personat e lartë cekur Prokuroria pretendon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Fajde’.

Në total, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj 15 personave të dyshuar për fajde.

Pas pak KALLXO do publikoj edhe pjesë të tjera nga dosja e fajdeve.

Prokuroria kërkon paraburgimin e 15 të arrestuarve për fajde në Ferizaj