Ilustrim

Lirohet me kusht Bashkim Osmani, i dyshuari për pastrim të parave të drogës në Spanjë

Bashkim Osmani është liruar me kusht nga burgu në Palma mbrëmjen e së martës (31 maj). Pasi ka paguar një garanci prej 400 mijë eurosh, raporton “Mallorca Zeitung”.

Organizatori i dyshuar i një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave të kokainës, e ka kaluar natën e të mërkurës në villen e tij në Camp de Mar. Ai kishte qëndruar afro tre muaj në paraburgim.

Të martën, gjykata në Palma de Mallorca lëshoi një urdhër të ri duke e zëvendësuar paraburgimin me liri të kushtëzuar. Osmani nuk lejohet të largohet nga Mallorca. Për të garantuar qëndrimin e tij në ishull i është konfiskuar pasaporta. Po ashtu, ai duhet të paraqitet në gjykatë në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Bashkim Osmani u arrestua në Kroaci në një aksion në mbarë Evropën më 15 shkurt të organizuar nga Europoli.

Në Mallorca, vila e tij, restoranti i tij i famshëm Ritzi në Puerto Portals dhe një nga hotelet e tij në Palma de Mallorca u kontrolluan. Disa persona nga rrethet e tij private dhe të biznesit u arrestuan, përfshirë këtu edhe gruan dhe vjehrrin e tij.

Ai u ekstradua në Mallorca dhe ndodhej në paraburgim nga data 2 mars.

Bashkim Osmani ka insistuar në pafajësinë e tij, ndërsa akuzohet se ka pastruar para nga tregtia e kokainës. Sipas hetimeve fillestare thuhet se të ardhurat janë investuar në Mallorca nëpërmjet kompanive nga vende të tilla si Kroacia. Vetëm në sektorin e patundshmërive, vëllimi i pastrimit të parave thuhet se ka shkuar në rreth 35 milionë euro. Paratë banda i investoi edhe nëpër vepra arti. Vetëm në vilën e Osmanit janë siguruar 86 piktura në vaj të artistëve të njohur.

Në vitet 1990-ta, Osmani tash 55-vjeçar dhe tre vëllezërit e tij kishin bërë pasuri nga patundshmëritë dhe jeta e natës nëpër Hamburg. Ai në Spanjë kishte bërë një jetë goxha të padukshme vitet e fundit.