AAK bëhet pjesë e qeverisjes së Fadil Nurës

Kryetari në ardhje i Skenderajt nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Fadil Nura, ka nisur procedurat për kompletimin e stafit të tij.

Pjesë e qeverisjes së tij është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Dardan Shala, kryetari i AAK -së, dega në Skenderaj.

Shala tha se janë pajtuar që një drejtori t’i jepet atyre.

“Po, do të jemi pjesë e qeverisjes së tij për katër vitet e ardhshme dhe +4 të tjerë. Do të kemi pjesë edhe në drejtori. Deri knë këtë moment na është folur një drejtori”, tha ai.

Fadil Nura kishte konfirmuar për KALLXO.com se kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, pritet të bëhet nënkryetar i Komunës së Skenderajt.

Nura u shpreh i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë e përfaqësuara në Asamble.

Fadil Nura i ka fituar zgjedhjet përballë kryetarit në ikje, Bekim Jashari. Partitë e tjera, LDK, LVV dhe AKR nuk vendosën kandidat të tyre për kryetar komune, në shenjë respekti për familjen Jashari.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar më së shumti ulëse në Kuvendin Komunal të Skenderajt me 54.07%.  Ndërkaq e dyta radhitet Lista e Pavarur e Bekim Jasharit me 31.2% për qind. Më pas është Lëvizja Vetëvendosje me 5.06%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 2.03%, Nisma Socialdemokrate me 1.87%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 1.06%, ndërsa rreth 4,44% të votave kanë shkuar për partitë tjera.

Konflikti në paqe mes ‘njerëzve të luftës’