Vendi ku ndodhi vrasja në Suharekë më 17 mars 2019 - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Polici e qëlloi në kokë puntorin e bastores nga 1 metër largësi

Kur kanë kaluar gati 3 muaj nga vrasja në kazino të Suharekës, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj policit SH.S. i cili po akuzohet për dy vepra penale.

Polici Sh.S. ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e të riut 32 vjeçar Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të këtij viti.

Polici  Sh.S. po akuzohet se më 17.03.2019 në Suharekë në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinos.

Aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarit SH.S, pasi qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës ,,Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, polici SH.S, sipas prokurorisë, pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Aktakuza thotë se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS, dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, dhe pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha në dalje të fshatit Neprebisht të komunës së Suharekës.

I akuzuari, gjendet në paraburgim nga data 17.03.2019, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, si dhe ka propozuar që si dënim plotësues të akuzuarit t’i konfiskohet automjeti i markës ,,Audi” A3, ngjyrë e zezë, me të cilin automjet ka bartur dhe fshehur dëshmitë e veprës penale të kryer.

Kallxo.com ka raportuar lidhur me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-polici-dyshohet-se-qelloi-viktimen-me-arme-zyrtare-nga-1-meter-afersi/

Përmbajtja e kësaj  CD-je që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë të lokalit ku është kryer vepra penale, ishte shikuar gjatë seancën për caktim të paraburgimit të datës 19 mars.

Mediat dhe monitoruesit nuk ishin lejuar të jenë të pranishëm në kohën e shikimit të CD-së, por prokurori i rastit Mehdi Sefa pretendon se në të janë provat kryesore të ngjarjes.

Gjatë mbajtjes së seancën së datës 19 mars, i dyshuari Sh.S, nuk ishte deklaruar gjatë, pos që kishte mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Sefer Morina.

“E mbështes fjalën e avokatit, s’di çka me fol e me shtu ma shumë”, kishin qenë fjalët e vetme të të dyshuarit Sh.S. gjatë asaj seance.

I dyshuari Sh.S, po qëndron në paraburgim që nga data 19 mars.

Prokuroria gjithashtu ka vërejtur se mungon një fishek nga ngarkesa në 30 të tillë që Sh.S. i ka pasur si zyrtar i Policisë së Kosovës.

https://kallxo.com/prokuroria-policit-te-dyshuar-per-vrasje-i-mungonte-nje-plumb/

Prokuroria e Prizrenit ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit, Sh.S., i mungonte një plumb pas vrasjes që ndodhi të dielën në një kazino të Suharekës.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së 32 vjeçarit në Suharekë, policit i ishte konfiskuar arma ‘Glock 9 mm’.

“Në vendin e ngjarjes gjatë bastisjes te i pandehuri përveç armës zyrtare 9 mm Glock që është konfiskuar, janë konfiskuar edhe 29 fishekë, ndërsa i pandehuri ka qenë i ngarkuar me 30 fishekë”, kishte deklaruar prokurori Mehdi Sefa në seancën për caktim të paraburgimit.

Në aktvendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhej se “i pandehuri me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje privon nga jeta të ndjerin me iniciale J.A. punëtor i kazinosë, në atë mënyrë që shkon në kazino dhe aty qëndron deri në ora 5:00”.

I dyshuari Sh.S., sipas dosjes së Prokurorisë së Prizrenit, është rikthyer sërish rreth orës 7:30 minuta, dhe papritmas gjatë lëvizjes në kazino në një moment ka nxjerrë armën – pistoletën e markës Glock, dhe nga një afërsi, në distancë një metër, ka shtënë një herë në pjesën e epërme të kokës të të ndjerit i cili ka qenë i ulur në fotele.