Foto: Ilustrim

Prokuroria jep detaje rreth dhunimit të dyshuar të së resë nga vjehrri

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë sqarime rreth një vendimi për dërgimin në ndalim policor për 48 orë të një personi të dyshuar për dhunim, rast ky që ka ndodhur në Viti.

Sipas Prokurorisë, në fund të shtatorit i dyshuari me inicialet Xh.I. e ka ngacmuar dhe shfrytëzuar seksualisht gruan e djalit të tij, një 18-vjeçare, në atë mënyrë që me forcë dhe pa pëlqimin e saj e detyron të kryejë marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tyre.

“Dyshohet që i njëjti këto veprime i ka ndërmarrë duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve tjerë të familjes, duke përfshirë edhe mungesën e bashkëshortit të të dëmtuarës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndaj të dyshuarit Prokuroria Themelore në Gjilan, pas marrjes së informacionit nga ana e Policisë, ka marrë vendim ta dërgojë në ndalim policor për 48 orë, për veprën penale të dhunimit.

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Gjilan do të ushtrojë kërkesën për caktimin e paraburgimit, si dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera hetimore për ndriçimin e këtij rasti.