Prokurori Miroslav Janjiq | Foto: BIRN

Prokurori nuk po Hetohet për Hakmarrje Politike

Prokurorët disiplinorë të thënën thanë se kanë nisur një çështje neglizhence disiplinore ndaj Janjiqit për mospërfshirjen e pesë vdekjeve në një padi për krime lufte dhe mohuan pretendimet e medias se ky ishte shembull i një hakmarrje të motivuar politikisht.

Disa media serbe të Bosnjës kanë raportuar se procedurat disiplinore të nisura në mars të këtij viti, ishin një përpjekje për të ndëshkuar Janjiqin për ngritjen e padisë në çështjen e krimeve të luftës kundër komandantit të kohës së luftës të Ushtrisë Boshnjake Naser Oriq, i cili shihet si një hero nga shumë boshnjakë për mbrojtjen e tij të Srebrenicës në vitin 1992.

Por prokurori disiplinor Mirza Hadziomeroviq këmbënguli se çështja kundër Janjiqit ishte nisur bazuar në prova të forta.

“Kur flasim për këto procedura, shumë raporte mediatike u shprehën se ato kanë filluar për shkak të punës në çështjen e Naser Oriqit. Për hir të publikut, Zyra e Prokurorit Disiplinor dëshiron të thotë se këto procedura filluan vetëm për shkak të vdekjes së pesë personave, të cilët prokurori nuk i përfshiu në aktakuzë, edhe pse për këtë kishte prova,” tha Hadziomeroviq.

Pesë vdekjet dyshohet të jenë lënë me qëllim jashtë aktakuzës ndaj ish-ushtarit serb të Bosnjës Gligor Begoviq për krime lufte në zonën e Bijeljinës.

Hadziomeroviq tha se padia kundër Begoviqit ishte konfirmuar vetëm pasi gjykata shtetërore e kishte kthyer atë katër herë për përpunime të mëtejshme.

Ai u shpreh se kjo përbënte “neglizhencë profesionale”.

“Ky është shembulli më i spikatur i një rasti në të cilin aktakuza nuk i përmban të gjitha krimet për të cilët ka prova të mjaftueshme,” tha ai.

“Ne duhet të theksojmë gjithashtu se pasi u dha një vendim për dënimin e Begoviqit, ai u lirua nga akuzat për vrasjen e dy personave. Këto akuza u përfshinë në aktakuzë më vonë. Shpjegimi i vendimit tregon se prokurori nuk paraqiti prova të mjaftueshme në lidhje me këto vrasje,” shtoi ai.

Në korrik të këtij viti, Begoviq u dënua sipas një vendimi të shkallës së dytë me dhjetë vjet burg për kryerje krimesh “të përgjakshme” kundër civilëve në qendrën e burgimit Batkoviç pranë Bijeljinës në vitin 1992.

Naser Oriq aktualisht është në gjyq bashkë me një tjetër ish-ushtar boshnjak, i akuzuar për vrasjen e tre të burgosurve serbë në fshatrat në zonën e Bratunacit dhe Sreebrenicës në vitin 1992. Ndjekja e tij penale ka zemëruar shumë boshnjakë.

Avokati i Janjiqit, Fahrija Karkin, tha se procedura disiplinore kundër prokurorit duhet të ndalet sepse ajo përbën “një sulm ndaj lirisë prokuroriale”.

“Po prisja që çështja të rrëzohej. Situata të tilla ndodhin në 90 për qind të çështjeve në të cilat unë jam i përfshirë. Prandaj, këtë padi e konsideroj si një sulm ndaj lirisë dhe pavarësisë prokuroriale,” tha Karkin.

Seanca e parë dëgjimore në çështjen kundër Janjiqit është programuar të mbahet më 24 nëntor.