Milorad Dodik. Foto: SNSD.

Paralajmërohen sanksione ndaj individëve në Bosnje dhe Hercegovinë

Ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se të mërkurën më 5 janar, pritet të shpallen sanksione nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër individëve nga Bosnje dhe Hercegovina.

Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.

Shefja e diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Turkoviq, tha para gazetarëve më 5 janar se sanksionet do të shpalleshin gjatë ditës, duke bërë të ditur se për këtë çështje ishte punuar për një kohë të gjatë.

Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.

Turkoviq tha se ajo pret gjithashtu që ata që vendosin sanksione të sqarojnë detajet dhe të listojnë entitetet ndaj të cilëve aplikohen ato.

Dodik: Sanksionet nuk janë të shenjta

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, tha më 5 janar në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës se janë të mundshme sanksionet për individët në Bosnje dhe Herzegovinë.

Dodik, i cili është gjithashtu president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me sanksionet e mundshme të cilat i paralajmëroi ministrja e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq.

“Këto janë sanksionet e tyre, nuk janë tonat. Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë për Amerikë, edhe nëse do të mi heqin sanksionet nesër”, tha Dodik.

Dodik tha se nuk mund ta imagjinonte një vend në të cilin, siç thotë ai, ministrat siç është Bisera Turkoviq mirëpresin sanksione për qytetarët e tyre.

Puna e institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë është bllokuar që nga korriku i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit e njësisë Republika Sërpska refuzuan të marrin pjesë në çdo vendimmarrje.

Kjo ndodhi si përgjigje e tyre ndaj faktit që ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinës, Valentin Inzko, inicioi ndryshime në Kodin Penal që ndalon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan zhbllokimin e punës së institucioneve në këtë shtet.

U kërkua që Republika Sërpska, e cila është një nga dy njësitë brenda Bosnje dhe Hercegovinës, të heqë dorë nga ngritja e një agjencie të barnave dhe aktivitetet e mëtejshme për të marrë në mënyrë të njëanshme kompetencat e shtetit.

E gjithë kjo ka shkaktuar krizën më të madhe politike në Bosnje e Hercegovinë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995, prandaj disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve.

Megjithatë disa politikanë evropianë si kryeministri hungarez Viktor Orban kanë kundërshtuar mundësinë e sanksioneve kundër disa zyrtarëve të Republikës Sërpska, duke përfshirë anëtarin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar Asambleja e Republikës Sërpska miratoi konkluzionet që parashikojnë “kthimin e kompetencave” nga niveli shtetëror te njësia, si dhe Deklaratën mbi Parimet Kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij mekanizmi të hartojnë një kushtetutë që do ta bënte Banja Llukën kryeqytetin e entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.

Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë janë antikushtetuese”.

Më parë, më 20 tetor të vitit të kaluar, i njëjti organ ka miratuar Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, i cili parashikon themelimin e një agjencie të barnave, e cila operon në nivel shtetëror që nga viti 2009.

Ditë më parë, sanksione ndaj liderit të serbëve të Bosnjës ka kërkuar edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet që ta sanksionojë liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga Bosnje e Hercegovina.

Baerbock, tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë është “shqetësuese” dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja, ishin “të papranueshme”./REL