Prokurori në Prishtinë, Seanca në Pejë

Prokurorit të Krimeve të Rënda në Pejë, Haxhi Sinanit, i është përzier agjenda mëngjesin e së hënës.

Në ditën kur do të duhej të ishte në gjykatore për të përfaqësuar aktakuzën, Sinani ka udhëtuar në Prishtinë për një takim të planifikuar të Komisionit Disiplinor të KPK-së.

E në gjykatoren e Pejës në mungesë të prokurorit është dashur të shtyhet procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për tentim-vrasje, Jeton Krasniqit.

Ky i fundit akuzohet nga Prokuroria se qëlloi me armë një bashkëfshatar të tij për shkak të një konflikti paraprak. Me gjithë rëndësinë e çështjes, gjykatësi i çështjes, Sali Berisha, në nisje të gjykimit ka nënvizuar se prokurori kishte qenë i njoftuar për gjykimin dhe nuk e ka arsyetuar  mungesën e tij.

Për ta zgjidhur dilemën nëse prokurori do ishte në gjykatore gjykatësi i njoftoj palët për kontaktin e tij me  telefon me prokurorin, i cili pak minuta para seancës e kishte njoftuar se nuk mund të vijë në gjykatore.

“Meqenëse më parë pata kontakt telefonik me të (prokurorin), ai kërkoi shtyrjen e seancës ngase është i zënë lidhur me çështjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, deklaroi gjykatësi Berisha.

Për mungesën e prokurorit në gjykatore KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e KPK-së. Sipas tij, prokurori Haxhi Sinanaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit Disiplinor gjatë ditës së sotshme nga ora 10:00 deri në ora 12:00 ka pasur të caktuar një seancë dëgjimore të Komisionit Disiplinor, në Prishtinë.

Përfundimisht, në mungesë të prokurorit, procesi gjyqësor ndaj Jeton Krasniqit është shtyrë për datën 30 mars.