Foto: Kallxo.com - Ilustrim

Prokurori i papërgatitur, shtyhet gjykimi në rastin e shënjestruar për liberalizimin e vizave

Me kërkesë të prokurorit shtyhet seanca në gjykimin e shënjëstruar për liberalizim të vizave

Seanca gjyqësore ndaj sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Milot Vokshi, si dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të MAShT-it, Xhavit Dakaj, është shtyrë me kërkesë të prokurorit.

Aktakuzën në këtë rast me herët e ka përfaqësuar prokurori Faik Halili, ndërsa tani kjo lëndë i është trashëguar prokurorit Afrim Shefkiu, i cili kërkoi nga trupi gjykues që të shtyjë këtë seancë gjyqësore me arsyetimin se dje e kishte pranuar lëndën dhe nuk kishte pasur kohë që të përgatitej për gjykim.

Një kërkesë e tillë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, i cili seancën e radhës e caktoi për datën 10 tetor.

Kjo lëndë është në mesin e lendeve të shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.

Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.

Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.

I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.

Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor, shkrimet mund të I gjeni në këtë link.

https://kallxo.com/?s=Xhavit+Dakaj