Harley Davidson - Foto: REL/AFP

Prodhimet amerikane fillojnë të ndjejnë koston e tarifave të BE-së

Harley-Davidson planifikon të zhvendosë një pjesë të prodhimit të motorëve jashtë Shteteve të Bashkuara, për të shmangur, siç tha, barrën e tarifave të Bashkimit Europian.

Javën e kaluar, BE-ja vuri taksa hakmarrëse mbi prodhimet amerikane, pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka vënë tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut nga Europa dhe vende të tjera aleate.

Fabrika e motorëve, Harley-Davidson, me seli në shtetin Uiskonsin, ka degë në Australi, Brazil, Indi dhe Tajlandë.

Kompania tha se do të rrisë investimet në fabrikat e saj ndërkombëtare, por nuk tregoi se në cilat.

“Për të adresuar koston e madhe të tarifave të BE-së, Harley-Davidson do të zhvendosë prodhimin e motoçikletave”, tha kompania.

Sipas Harley-Davidson, tarifat kanë shtuar mesatarisht 2,200 dollarë për çdo motor të eksportuar nga ShBA-ja në BE. (REL)