Prishtina të Shtunën me Libra Nëpër Sheshe

Festivali i Librit i cili do të fillojë në orën 11:00 në Sheshin “Nënë Tereza” organizohet nga Organizata Joqeveritare “ETEA” me mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhe Drejtorisë së Kulturës dhe të Arsimit të Komunës së Prishtinës.

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “ETEA”  Agon Ahmeti tha se fakti që sheshet do të jenë të mbushura me libra do t’u mundësojnë qytetarëve të kenë në mendje librin, leximin dhe arsimin.

“Mendimi është hapi i parë i njeriut drejt një veprimi dhe një shprehie dhe kështu që po shpresojmë që qytetarët duke menduar për libra do të ndikohen dhe do ta hapin librin dhe do të fillojnë që të lexojnë,” tha Ahmeti.

Sipas tij duhet që të lexohet më shumë pasi që arsimimi është shtylla kryesore e një vendi.

“Fatkeqësisht akoma nuk është krijuar një kulturë në vendin tonë ku qytetarët janë të lidhur më librin , kjo njihet edhe përmes disa statistikave që të ne lexohet libri më pak dhe ka shitje me pak,” shtoi Ahmeti.

Në kuadër të këtij festivali do të organizohet aktiviteti sjell një libër – merr një tjetër, do të ketë ekspozita të hapura për librat dhe edukimin përgjithësisht, drama, poezi dhe recitale.

Gjithashtu pjesëmarrësit e këtij festivali do të kenë mundësinë që të dëgjojnë muzikë instrumentale nga nxënësit e shkollës “Prenk Jakova” si dhe muzikë me kitarë nga këngëtarja Nita Latifi si dhe të shohin skulpturat e punuara nga Rrezelinda Begaj.

Në kudër të festivalit do të bëhet vënia e thënieve të preferuara nga ana e qytetarëve në “Pemët e Diturisë” si dhe do të bëhet shpallja e lexuesve të vitit “Bibliobibuli 2015/16” në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”.

Sipas drejtori ekzekutiv të Organizatës Joqeveritare “ETEA”  Agon Ahmeti aktiviteti sjell një libër – merr një tjetër është një ndër aktivitetet që organizata po dëshiron që ta organizojë më shpesh dhe jo vetëm një herë në vit.

“Jemi në bisedime me komunën që më arrit me e organizu qoftë një herë në muaj apo çdo dy javë. Duke pasur parasysh çmimin e lartë për libra që është ne Kosovë krahasuar me rajonin, kjo është një mundësi ku në vazhdimësi qytetarët kishin më pasë mundësinë që me e kthye një libër që e kanë lexuar dhe me e marrë një libër që nuk e kanë lexuar,” tha ai.

Në mesin e të ftuarve për këtë festival do të jenë Jusuf Buxhovi, Drenusha Zajmi-Hoxha, Albatros Rexhaj, Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Besim Dina, Lum Veseli, Andi Bajgora si dhe personalitete të tjera të njohura.

Vitin e kaluar aktivitetet dyditëshe me moton “Prishtina Lexon” kur u lexua nëpër sheshet e Prishtinës u organizuan në muajin maj.

http://kallxo.com/prishtina-lexon-ne-kerkim-te-perralles-me-te-bukur/