Vlerësohet lartë shfaqja ‘Sërish vijnë zgjedhjet’ e Faik Ispahiut
Personalitete publike, të artit e artdashës kanë vlerësuar shfaqjen “Sërish vijnë zgjedhjet” me regji të Faik Ispahiut, e cila u dha LIVE të dielën në mbrëmje premierë në Facebook dhe në platformën ZOOM.
Sipas tyre, me shfaqjen “Sërish vijnë zgjedhjet”, regjisori Faik Ispahiu i hapi rrugën zhvillimit të një teatri të ri, i cili është më i avancuar sesa teatri multimedial.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë për KALLXO.com se të dielën në mbrëmje ka parë një shfaqje shumë të realizuar, si në aspektin artistik, por edhe në aspektin teknik.
“Ishte një eksperiencë për mua dhe familjen e time me pa një shfaqje teatrale përmes ZOOM-it. Pandemia, sigurisht se ka sjellë edhe këto ngjarje në një formë dhe format që nuk jemi mësuar t’i shohim më herët”, ka thënë kryetari Tahiri.
Sipas tij, duke parë që pandemia do të zgjasë sigurisht se realizimi i kësaj shfaqjeje hap rrugë që të rikthehet sadopak jeta kulturore dhe teatrore dhe qytetarët sa më shumë të kenë mundësi të shohin shfaqje të tilla.
“Unë dua ta përgëzoj regjisorin Faik Ispahiu dhe aktorët për një realizim të shkëlqyeshëm edhe profesional -artistik, por edhe teknik, sepse kisha brengën se si do të realizohet teknikisht, por doli mjaft mirë dhe shumë e arritur si shfaqje”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Tahiri ka thënë se shpreson në largimin sa më të shpejt të Coronavirusit dhe që kjo shfaqje të jepet para publikut vushtrrias.
Ndërsa, regjisori Kastriot Saqipi ka thënë për KALLXO.com se me emocione e ka përcjellë premierën e shfaqjes “Sërish vijnë zgjedhjet” dhe në fund është ndjerë i çliruar, sepse ka parë një shfaqje të veçantë e cila, siç është shprehur ai, sjell një mënyrë të re të të bërit teatër.
Saqipi ka thënë se me këtë shfaqje Faik Ispahiu themeloi një teatër të ri, që është një hap para teatrit të sotëm multimedial.
“Mendoj se ky lloj teatri arriti të komunikojë shumë mirë me publikun dhe besoj se Ispahiu me bashkëgrupin e tij që e ka nisur këtë lloj teatri, duhet ta plasojë në botë dhe të mbetet sikurse teatri i Grotovskit, Stanisllavskit, etj. Mendoj se ky lloj teatri do të mbetet një patentë e regjisorit Ispahiu, të cilin do ta pranojë bota në emër të grupit të cilët e kanë bërë këtë tetarët”, ka thënë regjisori Saqipi.
Saqipi ka lavdëruar punën e ekipit të shfaqjes, por edhe publikun, i cili sipas tij ishte aktori i 5-të duke e bërë “Sërish vijnë zgjedhjet” një shfaqje krejt të veçantë.
“Përveç këtyre aktorëve, interesante ishte se publiku ishte aktori i pestë dhe mund ta shihje në sy reagimin e tij pas çdo fjale apo veprimi të aktorëve. Si regjisor më bëri shumë përshtypje, madje edhe mësova shumë nga kjo shfaqje”, ka thënë ai
Agon Ahmeti, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se “Sërish vijnë zgjedhjet” ishte një risi dhe të mos ketë pasur rast të shihte një shfaqjeve virtuale LIVE më herët, përveç atyre tradicionale.
Sipas Ahmetit, “Sërish vijnë zgjedhjet” jep një përjetim të veçantë, sidomos për temën që trajtonte shfaqja që, siç ka thënë ai, është një aktualitet me të cilin shoqëria po ballafaqohet tash e 20 vjet.
“Aktorët ishin shumë të mirë, sidomos aktori kyesor që më herët s’më kishte rënë rasti ta shihja, ndërsa për këta tjerët dihet, nuk kam fjalë për ta, veçanërisht për profesor Petrovcin”, ka thënë Ahmeti.
Kurse Valdet Rama ka thënë se “Sërish vinë zgjedhjet” ishte përvoja e tij e parë me një format të ri të shfaqjeve, të imponuar nga pandemia.
Rama ka thënë se duke u nisur nga pamundësia e komunikimit direkt me të gjithë realizatorët e shfaqjes njëkohësisht dhe në të njëjtin vend, Faik Ispahiu, ka gjetur një mënyrë shumë të kapshme për shfaqjen e konceptuar enkas për një rrethanë të tillë.
“Ç’ është e vërteta mosprezenca e të gjithë aktorëve në një vend të vetëm duket se fare nuk pengonte, por jepte mundësi që aktorët ta shpalosin kreativitetin e vet të plotë edhe pse nuk e kishin partnerin të pranishëm për t’i dhënë ‘shllgvortin’ por kjo funksiononte pothuaj perfekt. Faikun e përgëzoj për guximin, qasjen, por edhe ekipin realizues për punën e mirë”, ka thënë Rama.
Shfaqja virtuale “Sërish vijnë zgjedhjet” është shfaqur LIVE të dielën në mbrëmje premierë përmes Facebook-ut dhe ZOOM-it.
Shfaqja pasqyron degradimin institucional në Kosovë si rezultat i korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike nga zyrtarë të lartë të shtetit, e që më së miri shihet në kohë zgjedhjesh.
Në shfaqje luajnë: Enver Petrovci, Besim Ajeti, Shpejtim Kastrati dhe Ermal Sadiku.
Repriza e shfaqjes “Sërish vijnë zgjedhjet” jepet të martën, më 14.7.2020, në ora 21:00 LIVE në Facebook dhe ZOOM.