Në shtator nis themelimi i 12 mini-bibliotekave në Prishtinë

12 lagje të Prishtinës pritet të bëhen me mini-biblioteka që nga muaji i ardhshëm.

Organizata Etea dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës kanë filluar punën për ndërtimin e mini-bibliotekave në 12 lagje të Prishtinës, me përkrahjen e Forumi për Iniciativa Qytetare, në kuadër të projektit “sign up for impact” të Bashkimit Evropian.

Nëse gjithçka shkon sipas projekti të këtyre organizativë në shtator të këtij viti do të nisë edhe implementimi i projektit, konkretisht hapja e mini-bibliotekave në lagjet e kryeqytetit.

Agon Ahmeti, drejtor i Etea-s ka pohuar në një prononcim për Kallxo.com se ideja fillestare për këtë aktivitete ka ardhur nga Suzana Berisha, bashkëthemeluese e ETEA dhe më pas është zhvilluar si e tillë në bashkëpunim mes të gjithë anëtareve po edhe Kuvendit të të Rinjve të Prishtinës.

Në këtë fazë të projektit, sipas tij, është ndërtimi i bibliotekave 12 lagje të komunës së Prishtinës; Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit, Qafa, Lagja e Spitalit, Arbëria (ish Dragodani), lagjet përreth Sheshit “Adem Jashari”, lagjet përreth Kampusit Universitar, Taukbahçe, lagja e Muhaxherëve, Hajvalia dhe Rruga B”.

Ata kanë thënë se numri i bibliotekave mund të shtohet nëse kanë përkrahje të qytetarëve.

Ahmeti ka thënë se  projekti që synon ndërtimin e mini-bibliotekave të lagjeve është i kushtëzuar nga participimi i komunitetit, përkatësisht banorëve të lagjeve përfituese dhe bizneseve lokale.

“Theksojmë këtu se limiti minimal i participimit te komunitetit lokal duhet të jetë 2,000 euro, shifër kjo që më pas dyfishohet nga fondet e BE-së. Lagjet janë targetuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, prej së cilës tashmë veçse kemi leje. Lokacionet e sakta brenda lagjeve do të përcaktohen në koordinim me banorët e lagjeve përfituese”, ka thënë Ahmeti.

Minibibliotekat do të funksionojnë sipas mënyrës “sill një libër – merr një tjetër”, ku banorët e lagjeve do të kenë mundësinë edhe të huazimit të librit përgjatë qëndrimit në oborrin e lagjes përkatëse.

Pas funksionalizimit, mini-bibliotekat do të jenë të qasshme 24 orë në 7 ditë të javës.

Sipas Ahmetit, në shenj mirënjohjeje në të dyja skajoret e mini-bibliotekave do të vendosen emrat apo logot e kontributdhënësve, duke përfshirë edhe emrat e banorëve që mundojnë jetësimin e këtyre bibliotekave.