Prishtina e mbushur me buste klasike me plot të meta artistike

Kryeqyteti kosovar, Prishtina është  mbushur me statuja dhe buste  klasike dhe shumë pak me vepra të tilla të artit modern apo kontemporta.

Skulptorë, kritikë e krijues arti për vite me radhë kanë potencuar nevojën që ka kryeqyteti për vepra të artit modern në sheshet dhe hapësira publike.

Por, debatet për këtë problem më shumë janë zhvilluar në distancë dhe pa sensin kritik përmes rrjeteve sociale, kryesisht, pa ndonjë rezultat.

Një i tillë shpërtheu edhe me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Çlirimit të Kryeqytetit nga NATO. Sidomos pas bërjes publike të bustit të ish-sekretares amerikane Madelenie Olbright, punuar nga skulptori Luan Mulliqi, për të cilin u dhanë vlerësime e krahasime, duke u quajtur edhe një vepër pa sharm artistik.

Anti-artistikja

Skulptorja Arjeta Miftari ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se bustet dhe skulpturat  e vendosura  në kryeqytet nuk i plotësojë kriteret artistike- profesionale.

“Është për t`u ardhur keq me faktin që shumica e shtatoreve në Prishtinë si plotësojnë kriteret dhe unë personalisht nuk kisha marrë kurrë guximin me ekspozu diçka që nuk është profesionale edhe mendoj që jemi lodhur me jo profesionalizëm“, ka thënë ajo.

Sipas skulptores Miftari, veprat e artit modern janë lënë anash jo vetëm në Prishtinë, por edhe në tërë Kosovën.

Edhe regjisori Ben Apolloni potenco faktin se skulpturat moderne zënë pak vend në hapësirat publike jo vetëm në kryeqytet. Sipas tij Prishtina dhe krejt Kosova janë mbushur me shtatore, buste, e përmendore që nuk i nderojnë ata për të cilët janë ngritur, por as sheshet e Kosovës.

“Këto punime, të shumta, janë pa pikë vlere artistike, që kanë kushtuar mjaftë shumë për t`u ngritur. Kiçi e ka kapë këte vend për fyti dhe do ta mbys. Turp për ata që i kanë kriju këto “vepra”, e turp edhe për ne që i kemi lejuar dhe i lejojmë nëpër sheshe! As pas Luftës së Dytë Botërore, kur dominonte poetika e Realizmit Socialist, nuk besoj se do të ketë pasur kaq shumë shëmti nëpër sheshe, oborre, parqe”, ka thënë Apolloni.

Modernizmi i harruar

Ndërkaq kritiku Ilir Muharremi ka pohuar për Kallxo.com se bustet dhe skulpturat e ekspozuara nëpër shtete e qyteteve apo vendeve historike kosovare janë me plotë defekte artistike- profesionale, siç ka thënë ai në disa raste edhe fyese për ato figura të cilat u dedikohen veprat e artit.

“Jo vetëm ana teorike, por edhe format moderne me kohën, e detajet tjera karakterizohen me probleme të mëdha profesionale”, ka thënë Muahrremi.