Prindërit e Prishtinës: Gara e Diturisë, e pa papranueshme për 7 vjeçarët

Këshilli i Prindërve të Prishtinës është shprehur kundër faktit që fëmijët 7-vjeçar t’i nënshtrohen Garës së Diturisë.

Sipas tyre, 120 minuta testim dhe katër lëndë në këtë test nuk janë të arsyeshme dhe të pranueshme.

Por Këshilli i Prindërve të Prishtinës thotë se pjesëmarrja e fëmijëve nuk është e obligueshme dhe se të konsultohen me fëmijët për vendosjen në pjesëmarrje në garë.

“Ndjehemi të obliguar të bëjmë një sqarim për të gjithë prindërit, i cili sqarim qartësisht ka munguar nga organizatori (Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport) por edhe nga drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit (me aq sa kemi informacion). I sqarojmë të gjithë prindërit se pjesëmarrja e fëmijëve në këtë garë nuk është e obligueshme! Në të mund të marrin pjesë fëmijët me vetë dëshire. Këshillojmë të gjithë prindërit, që në konsultim me fëmijët e tyre, të vendosin për pjesëmarrjen ose jo në garë”, thuhet përmes një komunikate për media.

Gara e Diturisë është organizuar nga koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti dhe pritet të mbahet këtë të shtunë më 11 maj 2019.