Nëna dhe fëmija, Foto:Gentiana Ahmeti:KALLXO.com

Këshilli i Prindërve u rekomandon prindërve t'i marrin librat dhe t'i mësojnë fëmijët në shtëpi

Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK) u ka rekomanduar prindërve dhe kujdestarëve që të marrin librat dhe të mësojnë fëmijët në shtëpi.

“Të dashur prindër e kujdestarë, ju këshillojmë t’i merrni librat në shkollën tuaj dhe të filloni së punuari vetë me fëmijët”- thuhet në reagimin e KPK-së.

Këshilli i Prindërve ka thënë se kërkesa drejtuar institucioneve dhe grevistëve është “tanët jeni e tuajit jemi – thirrini mendjes!“.

Viti shkollor 2022/23 ishte paraparë të fillonte gati dy javë më parë, më 1 shtator.

Por, për shkak të grevës së mësimdhënësve, të thirrur nga SBASHK-u, në shumicën e komunave mësimi nuk ka nisur.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në mëngjes është takuar me këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për të dialoguar rreth çështjes së grevës.

Në konferencë për media kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha se takimi ka përfunduar pa marrëveshje.