Ilustrim

Këshilli i Prindërve në Pejë të hënën organizon marsh për rikthimin e nxënësve në shkollë

Me kërkesën që nxënësit të kthehen në shkollë dhe të fillojnë procesin mësimor, Këshilli i prindërve në Pejë, të hënën do të organizojë marsh në qendër të qytetit.

Marshi me moton “Qeveri, SBASHK duam zgjidhje, duam rikthimin në bankat shkollore për fëmijët tanë”, do të marshohet në qendër të qytetit prej orës 12:00 deri në 12:30.

Këshilli i Prindërve në Pejë ka njoftuar se kanë marrë pëlqimin e Komunës së Pejës për organizimin e këtij aktiviteti.

Në Komunën e Pejës të gjithë institucionet janë duke mbajtur grevë që nga data 25 gusht.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega, i cili ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë njoftim që në ndonjë shkollë do të ndërpritet greva.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga 25 gushti dhe po vazhdon ende.

Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre përkundër që Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor.

Sindikalistët janë duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Përkundër grevës, disa institucione arsimore kanë filluar procesin mësimor.

Me disa përjashtime, shkollat vazhdojnë grevën