Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Policia themelon 'Task Forcë' për parandalimin e aksidenteve në trafik

Policia e Kosovës ka themeluar ‘Task Forcën’ për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës e ka marrë këtë masë shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rrugor.

Kjo ‘Task Forcë’ është krijuar duke iu referuar situatës shqetësuse gjatë kësaj periudhe lidhur me aksidentet në trafik dhe pasojat e tyre në shkaktimin e humbjes së jetëve njerëzore.

“Apelet, fushatat vetëdijësuese, veprimet operacionale policore, qasja e institucioneve tjera relevante që kanë rol dhe ndikim në ndryshimin e kësaj gjendje në trafik, shfaq nevojën e krijimit të mekanizmave shtesë për të kontribuar për një siguri edhe më të madhe nëpër rrugët tona”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Qëllimi kryesor i kësaj ‘Task Force’ është që përmes komandës dhe kontrollit të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel policor nga niveli qendror dhe ai lokal, duke përfshirë edhe stafin udhëheqës të Policisë.

“Plani veprues dhe parandalues i kësaj ”Task Force” parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale. Gjithashtu, për të arritur dinamikën e ndikimit tek shoferët pjesmarrës në trafik do të aplikohet “ZERO tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve””, theksohet në njoftim.

Policia e Kosovës kërkon që të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët/drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji i trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe në veçanti t’i përmbahen shpejtësisë së lejuar, pasi që vetëm në këtë mënyrë kontribuojnë për një siguri më të madhe nëpër rrugët e vendit tonë dhe evitojnë humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore.