Policia jep detaje rreth gjetjes së trupit të policit në Lepenc

Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish gjetjen e trupit të njërit prej dy pjesëtarëve të saj të zhdukur që nga e shtuna në mbrëmje.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi, tha se trupi i njërit prej dy kolegëve të tij është gjetur rreth orës 15:45 gjatë operacionit të përbashkët të kërkimeve të njësive të Policisë, FSK-së e Zjarrfikësve.

Sipas Gashit, trupi është gjetur në kilometrin e pestë nga vendi i aksidentit.

Ai tha se nuk kanë ende detaje se cili polic është gjetur.

Zëdhënësi i Policisë tha se ekipet e kërkimit do të vazhdojnë operacionin për të gjetur edhe zyrtarin tjetër policor i zhdukur në aksidentin e të shtunës në mbrëmje, kur me veturën e tyre ranë nga rruga magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit në ujërat e lumit Lepenc.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për media të zëdhënësit të Policisë Rajonale të Ferizajt, Agim Gashi.