Memli Krasniqi, PDK

Përplasen ish ministrat e PDK-së dhe LDK-së

Gjatë interpelancës së Kryeministrit Ramush Haradinaj për 53 milionshin, dy ish ministrat, Kujtim Shala i LDK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së janë përplasur për autostradën që përgjegjësi e kishte edhe qeveria e kaluar.

Krasniqi duke ju drejtuar Shalës ka thënë se ata dy kanë qenë ministra në qeverinë e kaluar dhe se të dy e dijnë që qeveria Mustafa i ka ikur përgjegjësisë.

“Qeveritë serioze nuk i ikin përgjegjësive. Ne kolegë kemi qenë, ne i kemi ikë përgjegjësisë”, i tha Krasniqi-Shalës.

Ai shtoi se ata dy si ish-ministra nuk kanë pasur përgjegjësi në këtë fushë, ngase njëri ka qenë ministër i Bujqësisë e tjetri i Kulturës, por se përgjegjësia kryesore ishte mbi kryeministrin, që në atë kohë ka qenë Isa Mustafa, ish ministrit të Financave, Avdullah Hoti dhe ish ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, të tre nga LDK.

“Kanë qenë pikërisht ministrat e LDK që me u zgjatë afati, e me u zgjatë afati i bjen me u rritë kosto”, tha ai.

Ndërsa Kujtim Shala, i cili po e kryeson seancën tha se fjalimi i Memli Krasniqit është pjesërisht i ngjashëm me atë të kryeministrit dhe se në të nuk ka asgjë të vërtetë.

“Janë plotësisht të pasakta, nuk do të komentoj më shumë”, tha ai.

Më pas Memli Krasniqi dha dy rekomandime në emër të PDK-së.

“Përkundër dallimeve politike, përkundër kushtimisht lojës politike, ne duhet të ruajmë partneritetin me kompanitë ndërkombëtare, mbi të gjithë duke pas kujdes në zbatimin e saktë të kontratave. Dhe Ministria e Infrastrukturës me përkrahjen e kompanisë mbikëqyrëse të vlerësojë propozimet dhe të dakordohet me Bectel dhe Enka për koston finale”, tha Krasniqi.