Komuna e Kaçanikut

Përmbushet Kuota Gjinore, Komitetit në Kaçanik i Shtohen Dy Burra

Pas vërejtjeve të marra nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal se Kaçaniku ka shkelur ligjin për barazi gjinore duke e emëruar katër gra në Komitetin për Komunitete, kjo komunë ka bërë ndryshim në përbërje.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi për KALLXO.com ka treguar se ky komitet përbehet nga Lirije Qeli- Lata, Nazife Krasniqi, Kaltrina Latifi, Hajredin Luta, Elmihane Krasniqi- Malsiu, Shemsedin Abazi dhe Naim Syla.

Për dallim nga hera e parë kur ishte themeluar Komiteti për Komunitete, komuna e Kaçanikut ka shtuar edhe emrat e dy përfaqësuesve nga gjinia mashkullore, Hajredin Luta dhe Naim Syla.

Kuota për Barazi Gjinore është përmbushur duke u bërë katër gra dhe tre meshkuj që do të përfaqësojnë këtë komitet.

Komiteti për Komunitetet do të kryesohet nga një grua Lirije Qeli- Lata.

“Komiteti për Komunitete mbajti mbledhjen e parë për vitin 2018, të cilën e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Kemajl Murseli. Anëtarët e këtij komiteti me shumicë votash zgjodhën për kryesuese anëtaren e kuvendit Lirije Qeli- Luta, ndërsa ishte e propozuar edhe anëtarja tjetër Kaltrina Tafili e cila mori më pak vota”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

KALLXO.com, kishte raportuar se MAPL-ja  nuk kishte lejua  Komitetin e Kuvendit të Kaçanikut të dominohet nga gratë me vendimin e marrë më 1 shkurt 2018.

“Vendimi Nr.60/01- 178/2018 me të cilin është përcaktuar përbërja e Komiteti për Komunitete është në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore për shkak të ‘Mos përfaqësimit të barabartë të meshkujve në këtë trup ndihmuese të punës së kuvendit’”, thuhet në vendimin e MAPL-së që është marrë më 1 shkurt 2018, që është siguruar nga KALLXO.com.