Vrasja e Pistës Hetohet nga Prishtina

Kryeprokurorja e Gjakovës Shpresa Bakija i ka thënë për KALLXO.com se për vrasjen e Pistës është duke u hetuar në disa drejtime, mirëpo ende nuk është zbardhur hetimi.

“I ndjeri ka qenë edhe biznesmen, edhe politikan, jemi duke hetuar në shumë drejtime”, ka thënë Bakia.

Sipas saj puna hetimore është fokusuar në intervistimin e dëshmitarëve të ngjarjes.

Nga ana tjetër zyrtarë të Policisë Regjionale në Prizren i kanë thënë KALLXO.com-it se me hetimin e rastit  janë duke u marrë njësitë elite të krimeve të rënda të cilat funksionojnë në kuadër të Drejtorisë Qendrore të Policisë në Prishtinë.

Kandidati për deputet i PDK-së Elvis Pista u vra në natën mes të shtunës dhe të dielës me katër plumba në oborrin e një restoranti në Rahovec, ku kishte shkuar për ta festuar ditëlindjen e bashkëshortes me gruan e tij dhe disa miq.