(Arkiv) Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

A do t'ketë takim homologësh? Kryeziu: Rama po i takon ata me të cilët ka nevojë t’i rregullojë raportet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në Kosovë më 10.06.2024.

Ai ka zhvilluar disa takime, por deri më tani të paktën zyrtarisht nuk u njoftua për ndonjë takim të mundshëm me homologun e tij nga Kosova, kryeministrin Albin Kurti. Dyshja e qeverive nuk njihen për raporte të mira mes vete, pas disa “përplasje” qëndrimesh që ishin bërë publike.

Rama vizitën zyrtare të hënën në Kosovë e nisi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Ndërsa, kreu i qeverisë shqiptare më pas ka marrë pjesë në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” të organizuar nga LDK- ja në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

KALLXO.com kontaktoi me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke e pyetur se pse nuk ka pasur takim mes Ramës e Kurtit dhe se a është në agjendë ndonjë takim i mundshëm mes tyre.

Kryeziu më 10.06.2024, në përgjigjen e tij dërguar në ora 15:40 nuk ka treguar nëse ka pasur apo do të ketë takim, por ka thënë se kryeministri Rama po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”- tha Kryeziu.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës e ka ftuar Ramën të marrë pjesë në aktivitetet e 12 qershorit, por siç thotë ai, nga zyra e Ramës kanë thënë se ai nuk do të mund të jetë i pranishëm.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor”- ka thënë Kryeziu.

Tutje ai ka thënë se Rama është i mirëseardhur në aktivitetet shtetërore në 146 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

“Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”- ka thënë tutje ai.

Në lidhje më “mostakimin” me Kurtin, KALLXO.com më 10.06.2024 ka kërkuar informacione nga kabinteti i kryeministrit Edi Rama, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë pëgjigje.

Vizita e Ramës në Kosovë erdhi në prag të 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Takimi Osmani – Rama që ka nisur rreth orës 08:30 është mbajtur i mbyllur për media.

Në ora 11:00, ai ka marrë në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” të organizuar nga LDK në nder të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në këtë konferencë Rama k a lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Kur më 24 maj 1992 në të ashtuquajturat zgjedhje ai u vetshpall president i Kosovës, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta lë pas, emrin dhe integritetin. Rugovën disa e tallën, e injoruan e nëvlerësuan por nuk besoj që ndonjë në ato fillime e besoi atë si rrugë me dalje të sigurt por ishte hap në errësirë nga pamundësia për të qëndruar në vend”- tha Rama.

Një krisje e mundshme e raporteve mes kryeministrit të Shqiperisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është përfolur që nga viti 2023 kur kryeministri Rama pati anuluar pjesëmarrjen e kabinetit të tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte paraparë të mbahet në qershor të vitit 2023.

Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ka kushtëzuar” takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Gjatë një vizite që kishte zhvilluar Rama në Kosovë më 07.07.2023, ishte takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, por jo edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Presidentja Osmani pret në takim kryeministrin shqiptar, Edi Rama