Shtyhet afati i paraqitjes së provimit të maturës në platformën e-Kosova

Ministria e Arsimit ka njoftuar se afati për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova është shtyrë deri më 12.06.2024, në ora 24:00, ndërsa afati i aprovimit nga shkollat është deri më 13.06.2024, në ora 14:00.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, deri më tani 17,460 nxënës e kanë paraqitur provimin e Maturës përmes platformës e-Kosova.

15,639 prej tyre janë konfirmuar nga koordinatorët e shkollave.

Ministria vlerëson se paraqitja online e provimit të maturës ka për qëllim ta lehtësojë punën e të gjithë personave që janë të përfshirë në këtë proces dhe se do të gjenerohen edhe të dhëna të tjera.

“Paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë akterëve të përshirë në proces, si: nxënësit (maturantët), shkollat, komunat dhe MAShTI. Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, më 10.06.2024.

Kjo është hera e parë që nxënësit e paraqesin në formë online provimin e maturës derisa më parë e kanë paraqitur fizikisht në shkollë.

Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova është lansuar më 27.05.2024.

Për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, paraqitja online e provimit të maturës është një hap i rëndësishëm në digjitalizimin e arsimit parauniversitar.

“Të dashur maturantë, për herë të parë nga ky vit po e bëjmë një hap të rëndësishëm në funksion të digjitalizimit të sistemit të arsimit parauniversitar. Po e lansojmë sot (27.05.2024) në platformën e-Kosova, paraqitjen online të Provimit Shtetëror të Maturës” – ka thënë ministrja Nagavci më 27.05.2024.

Sipas ministres Nagavci, procesi i aplikimit nga ana e nxënësve në platformën e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejtë dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informatave.

Provimi i maturës do të mbahet më 22.06.2024, kurse afati i dytë për ata që nuk arrijnë ta përfundojnë në qershor është më 31.08.2024. 

Drejtori i gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan, Semir Gashi, thotë se kanë pranuar një video udhëzuese për t’u treguar nxënësve se si duhet të aplikojnë për ta paraqitur provimin e maturës.

“Na e kanë dërgu njëfarë udhëzuesi. Jemi duke bërë përpjekje me i njoftu [nxënësit]. Me e nda me nxënësit njëfarë video se qysh me apliku. E kanë caktu një koordinator në shkollë për me i ndihmu” – ka thënë Gashi. 

Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova

Në provimin e maturës, nxënësit kanë katër lëndë, tri prej tyre janë: Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuhë angleze. Kurse, lënda e katërt zgjidhet nga vet nxënësi, e që përfshin njërën nga lëndët tjera të mbetura.

Hapat që duhet t’i merren për ta paraqitur provimin e Maturës Shtetërore janë si në vijim:

Në rast se nuk keni llogari në platformën e-Kosova, ju duhet ta krijoni atë përmes numrit tuaj të letërnjoftimit dhe të tjera të dhëna që kërkohen gjatë procesit të regjistrimit.

Pasi ta keni krijuar llogarinë tuaj në platformën e-Kosova, e hapni atë dhe ju duhet të klikoni tek opsioni – shërbimet.

Në mesin e shërbimeve që ofrohen nga platforma e-Kosova, keni shërbimin “Arsimi”, të cilin e klikoni dhe ju hapen disa mundësi aplikimi që ofrohen në kuadër të këtij shërbimi.

U duhet të klikoni në opsionin “Apliko për paraqitje të provimit të maturës”. Pastaj, ju hapet aplikimi që ju kërkon të dhënat tuaja si në vijim: komunën, shkollën, drejtimin e studimit, lëndën zgjedhore, të cilën e zgjedhni sipas preferencës suaj për t’u vlerësuar në provim.

Në mbledhjen e datës 16.04.2024 të Komisionit parlamentar për Arsim, në të cilën është votuar për procedimin e Projektligjit pёr Provimin e Maturës Shtetërore për lexim të parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ministrja Nagavci kishte folur për ndryshimet që ishin paraparë me këtë projektligj.

Nagavci kishte njoftuar se janë duke punuar për t’i sistemuar nxënësit që do t’i nënshtrohen provimit të Maturës, në mënyrë që ata të aplikojnë online dhe rezultatet e provimit të mund të printohen në formë certifikate.

“Ajo që po synojmë të bëjmë në provimin e radhës e që nuk i përfshin edhe ndryshimet që janë adresuar në ligj është që kemi filluar pjesërisht digjitalizimin në aspektin e aplikimit online të sistemit të nxënësve dhe për mënyrën se si ata do të vendosen në klasa d.m.th nuk do të jenë të gjithë nxënësit e së njëjtës klasë në një klasë, por do të kemi nxënës të cilët do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos lejohet të kopjojnë njëri-tjetrin” – kishte treguar Nagavci më 16.04.2024.

Përveç regjistrimit online të nxënësve, Nagavci kishte përmendur edhe certifikimin e rezultateve të nxënësve në provimin e maturës, të cilat do të mund të printohen.

“Po synojmë që rezultatet të bëhen në mënyrë publike, gjegjësisht me printim të certifikatës për maturantët dhe këto janë procese që i kemi fillu e po besoj do t’i finalizojmë në kohën e duhur sepse janë pothuajse në përfundim të punës nga grupi punues” – kishte shtuar Nagavci më 16.04.2024.