Vjetrohet Lënda e të Akuzuarës për Keqpërdorim Ndihmash

Sadete Musliu, është liruar nga akuza për shpërdorim detyre pas është vjetruar ndjekja penale ndaj saj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Sadete Musliut nën dyshimin e bazuar se në vitin 2008 si drejtoreshë e Shoqatës Kulturore Humanitare “ Bashkintegrimi “ së bashku me Xhemajl Bytyqin kishin keqpërdorur ndihmat humanitare të mbledhura  nga qytetarët në emër të personave te sëmurë ne vlerë prej 5.658.65 eurosh.

E akuzuara ne seancën e sotme nuk e pranoi fajësinë për veprën për të cilën akuzohej nga prokuroria, por prokurori Feti Tunuzliu shprehu bindjen se e akuzuara është fajtore.

“Në bazë te provave dhe fakteve mund të vërtetojmë se e akuzuara është kryese e veprës për të cilën akuzohet,“ tha në fjalën hyrëse Tunuzliu.

Fatbardh Makolli, avokati i Musliut e kontestoi aktakuzën.

“Mbetem në tërësi pranë kundërshtimeve, po ashtu edhe njëherë deklarojmë se kësaj aktakuze i mungojnë provat ,” tha Makolli.

Pastaj dëshmoi Axhere Hysenaj që kishte mbledhur para nga qytetarët në emër të shoqatës në vitin 2008 për tre katër javë, pasi ishte punësuar nga Xhemajl Bytyqi.

“Ne paratë që i kemi marrë nga qytetarët të njëjtëve ju kemi lëshuar paragon dhe kur jemi ardhur në zyrë ia kemi dorëzuar Xhemaljit, ku në disa raste kur i kemi dorëzuar aty prezent ka qenë edhe Sadetja,“ tha dëshmitarja.

Hysenaj deklaroi që nuk e dinte se Sadete Musliu ishte drejtoreshë, pasi asnjëherë nuk i kishte dhënë raport asaj.

Dëshmitarja e pranoi se në polici nuk e ka thënë të vërtetën gjatë deklaratës që ka dhënë.

“Unë në polici kam dhanë një deklaratë, mirëpo të njëjtën nuk e kam dhanë të vërtetë, pasi që Xhemajli më ka thanë mos me tregu të vërtetën,“ tregoi dëshmitarja.

Polici për Krime Ekonomike në Prishtinë Isa Kamberi që ka bërë hetimet rreth keqpërdorimeve të shoqatës, tha se nuk i shton asgjë deklaratës dhe kallëzimit penal të bërë në këtë rast.

Kryetarja e trupit gjykues Hajrie Shala pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe pas një konsultimi me anëtarët e trupit gjykues, deklaroi se kemi përshkrimin relativ të ndjekjes penale, pasi që kallëzimi penal në prokurori ka shkuar me 29 gusht 2008, ndërsa aktvendimi për fillim te hetimeve është marrë me 19 shtator 2013.

Pastaj trupi gjykues mori aktgjykim refuzues ndaj aktakuzës.