UNDP-ja Ndihmon Biznesin e Produkteve Pyjore Jodrunore

Për të pasur produkte pyjore jodrunore duhet ruajtur natyrën dhe penguar prerjen ilegale të pyjeve.

UNDP-ja me projektin për këto prodhime për rajonin e Mitrovicës, synon të identifikojë produktet e vlefshme në këtë regjion.

“Ky projekt apo një nga faktorët unik të këtij projekti ka qenë fokusi i dyfishtë në nivel të politikave që është munduar t’i ndihmojë Kosovës në identifikimin e produkteve me potencial të lartë që mund të përshkallëzohen duke përdorur analizën e zinxhirit të vlerave apo edhe mjeteve dhe metodologjive të  ndryshme”, tha Andrew Russell koordinator për zhvillim dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së.

Anne Huhtamaki, ambasadore e Finlandës në Kosovë tha se duhet të ruhen më shumë pyjet kosovare, pasi janë parakusht për turizëm dhe mirëqenie bazike të njerëzve..

“Prodhimet pyjore jodrunore dhe  përpunimi i drurit varen nga mirëqenia e natyrës. Kemi nevojë për një menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve për t’i bërë këto biznese më të qëndrueshme madje edhe të rriten në të ardhmen. Shpresojmë që Qeveria e Kosovës të vazhdojë përforcimin e rregulloreve, kontrollimin e prerjeve ilegale të pyjeve dhe të vazhdojë me projektet e ripyllëzimit,” tha Huhtamaki.

Në këto produkte pyjore jodrunore hyjnë frutat e malit, kërpudhat dhe prodhimet tjera të tokës pyjore që nuk janë drunj.

Teuta Purrini-Xhabali menaxhere e projektit të UNDP-së “Ndihmë Tregtisë”, tha se Kosova ka një traditë të madhe në këto sektorë.

“Kemi shifra të ndryshme. Ka diku 480 mijë hektarë në Kosovë që kanë potencial në kultivimin e më shumë se 9 mijë e 500 tonëve të produkteve pyjore jodrunore për vit, që është një vlerë e mirë apo shifër e mirë dhe informacioni nga terreni tregon se janë rreth 11 mijë grumbullues, 100 kultivues, 40 qendra grumbulluese dhe 80 përpunues aktiv në këtë fushë,” tha  Purrini-Xhabali.

Sipas saj, bizneset që operojnë në produktet pyjore jodrunore janë kryesisht familjare dhe kanë një potencial jo shumë të lartë për punësim.