Pritet Sërish Shtyrje “Speciale”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  tha se më 9 korrik do të ketë seancë plenare në të cilën nuk do të ketë diçka të jashtëzakonshme.

“Më datën 9 korrik në orën 10:00 kemi seancë plenare. Janë disa pika të rendit të ditës të cilat do t’i procedojmë. Janë disa pika të reja, disa që kanë mbetur nga seancat e kaluara që nuk kemi pas kuorum për t’i votuar”, tha Veseli.

Ndërsa për javën e ardhshme ai tha se pritet të diskutohet prapë në mbledhjen e kryesisë se a do të ketë ose jo diçka për Gjykatën Specialen.

“Në këtë të enjte nuk do ta procedojmë Gjykatën Speciale. Në momentin që nuk e procedojmë as nuk e diskutojmë. Për javën e ardhshme, të shohim”, shtoi Veseli.

Veseli, theksoi se është shumë me rëndësi gjatë kësaj kohe ta ruajnë partneritetin me ShBA-në dhe partnerët perëndimorë, dhe në të njëjtën kohë të dalin të bashkuar nga kjo situatë.

“Unë besoj se vendimmarrja jonë do të jetë në interes të këtij vendi. Kisha pasur dëshirë edhe nga ju që të jemi në një situatë më tepër të mirëkuptimit. Realisht ajo që është mesazhi, ne kemi me ecë përpara në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha më tej Veseli.

Veseli shprehu bindjen se Qeveria e Kosovës do ta bartë vullnetin e qytetarëve të saj dhe do ta ruajë tërësinë e saj të sovranitetit.