Presidentja Mbështet Reformat e Rektorit Zejnullahu

Derisa senati i Universitetit Publik ‘Hasan Prishtina’ është bllokuar në pikën e avancimeve  për mësimdhënësit për vitin 2015, Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë për KALLXO.com se e respekton autonominë e Universitetit të Prishtinës si institucion i pavarur i arsimit të lartë.

“Presidentja ka pritur Rektorin në zyrën e saj me 4 shtator, 2015, në prag të fillimit të vitit akademik, kur Presidentja ka pasur rastin të dëgjojë nga Rektori përkushtimin e tij për reforma dhe t’i japë përkrahjen e pakursyer për dinamikën e ndryshimeve për të ngritur cilësinë në Universitetin e Prishtinës dhe për qasjen parimore që synon përmirësimin e gjendjes kadrovike në këtë institucion dhe në ruajtjen e autonomisë së tij’’, thuhet në përgjigjen e Presidencës për KALLXO.com.

Që nga ardhja në krye të rektoratit, rektori Ramadan Zejnullahu ishte ballafaquar me protesta e pakënaqësi brenda UP-së. Këto pakënaqësi e akuza ai i kishte quajtur si të pa baza, pasi që po tenton të sjellë rregull e ligj në UP.

Në fillim të këtij muaji mbi 20 senatorë kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së që të inicojnë procedurën për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu dhe të zhbllokojë punën e senatit të UP-së. Krejt kjo ka ardhur pasi që ishte bllokuar Senati i UP-së në pikën e avancimeve akademike të mësimdhënësve të këtij institucioni për vitin 2015,  të cilat ishin kundërshtuar nga disa senatorë profesorë të fakulteteve. Pjesë e peticionit ishin edhe përfaqësues të studentëve në Senat.

Në anën tjetër në mbrojtje të rektorit kanë dalë disa studentë, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe qytetarë të cilët kanë realizuar një marsh protestues për ta përkrahur rektorin Zejnullahu. Po ashtu përkrahje për rektorin Zejnullahu kanë shprehur disa institucione ndërkombëtare në Kosovë.