Partia Turke Vendos në Prizren Posterë të Ndaluar

Maj 29, 2014 – Të mërkurën qyteti i Prizrenit është mbushur me fotografi të kandidatëve nga Partia Demokratike Turke e Kosovës KDTP (Kosova Demokratik Turk Partisi). Këto fotografi të formatit B2 janë ndaluar me një vendim të KQZ-së.

Fotografitë e kandidatëve të këtij subjekti politik të vendosura nëpër mbajtëset e ndriçimit publik si dhe në pemët gjelbëruese rreth rrugës, ishin fotografi të formatit B2, format ky i ndaluar me vendim të KQZ-së. 

KQZ-ja në vendimin me numër 1128/2014 për ndalimin e publikimit të posterëve promovues të kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të hyrë në fuqi më 27 maj 2014 në pikën e parë nuk lejon përdorimin e posterëve të madhësisë B2.

“Ndalohet publikimi i posterëve promovues të formatit B2 të kandidatëve të subjekteve politike në hapësirat publike, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 8 qershor 2014”. 

Ky vendim u mor me shumicë votash nga KQZ-ja. Para dy ditësh për ndalimin e posterëve të formatit B2 votuan gjashtë anëtarë të institucionit që organizon zgjedhjet. 

Por ndryshe nga ky vendim, KDTP ka vendosur që t’i publikojë posterët me kandidatë për Kuvend të Kosovës.