Paraburgim të Dyshuarit për Vrasjen e Hekuran Morinës

Bernard Përlazrit, të dyshuarit për vrasjen e Hekuran Morinës më 7 shtator në Prizren i është caktuar paraburgim prej një muaji.

Caktimin e paraburgimit e bëri të ditur Gjykata Themelore e Prizrenit me anë të një komunikate për medie.

Në komunikatë thuhet se Përlazrit paraburgimi iu caktua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasje e rëndë, vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Kërkesën për caktimin e paraburgimit e kishte bërë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas komunikatës paraburgimi për Përlazrin do të zgjasë deri më 9 nëntor.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 09.10.2015  dhe do të zgjasë deri me datën 09.11.2015,” thuhet në komunikatë.

Ditën kur Përlazri u arrestua, KALLXO.com shkroi për mënyrën se si ndodhi kjo gjë.

Përlazri dyshohet për vrasjen e Hekuran Morinës që ndodhi më 7 shtator të këtij viti në Prizren.

Kur protestuan kundër kësaj vrasjeje një javë më vonë, familjarë të Morinës thanë se Hekurani ishte viktimë e fajdexhinjve.