Paga Minimale, Shqipëria dhe Kosova të Fundit në Rajon

Shqiptarët kanë pagat minimale më të ulëta në Ballkan dhe Evropë. Open Data Albania (ODA) ka analizuar dhe publikuar normat e pagës minimale në rajon dhe Evropë, sipas vendeve përkatëse, nga çka rezulton se Shqipëria e më pas Kosova, renditen në fund të listës.

Në Kosovë, e cila është e parafundit në renditje para Shqipërisë, paga minimale llogaritet në 170 euro në muaj. Shqipëria aplikon një pagë minimale prej 157 euro në muaj (22 000 lekë).

“Por kjo pagë nuk është aplikuar edhe si minimum për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, vlerëson ODA.

Shqipëria aplikon dy standarde të pagës minimale. Për të punësuarit deri në 35 vjeç si pagë minimale është 130 euro në muaj, ndërsa për të punësuarit 35-65 vjeç si pagë minimale është 170 euro në muaj, duke zbatuar në këtë mënyrë, diskriminim për efekt grup-moshe.

Në studimin e ODA-s theksohet se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që aplikojnë pagë minimale nën 200 euro në muaj. Vendet e Europiane paraqesin nivele të larta të pagave minimale, mbi 300 euro në muaj.

Sipas ODA-s, “përjashtim bën Bullgaria e cila aplikon një pagë minimale mujore prej 184 euro”. Ky vend, ndonëse formalisht pjesë e Bashkimit Europian, gjeografikisht bie në hartën e Ballkanit Perëndimor.

Aranita Brahaj, drejtore e ODA, tha për KALLXO.com se këto të dhëna, ndër të tjera, nxjerrin në pah se ekziston një korrelacion mes pasurisë së vendeve dhe pagave që ato aplikojnë, përfshi këtu pagën minimale.

“Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, të dyja vendet janë më të varfra se fqinjët, fitojnë më pak, ndërsa investimet e huaja priren kryesisht drejt krahut të lirë të punës, çka në vetvete nuk flet për paga më të larta, por për paga më të ulëta”, shpjegoi Brahaj.

Në fakt, vërehet një përputhje mes masës së pagës minimale dhe zhvillimit dhe standardit të jetesës së vendeve përkatëse. Vendet më të zhvilluara të BE-së shfaqin një situatë luksoze edhe në nivel të pagës minimale.

Kështu, Luksemburgu aplikon edhe nivelin më të lartë të pagës minimale mujore prej 1923 euro, ndërsa nga 1 janari 2015, Gjermania ka aplikuar për herë të parë pagën minimale mujore, e cila arrin në 1473 euro në muaj.

Open Data Albania është një organizatë jofitimprurëse nga Shqipëria, e cila ka për qëllim mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave mbi treguesit ekonomiko-shoqërorë në Shqipëri, duke i vënë këto në dispozicion të publikut në formë të përkthyeshme dhe transparente.